E Hënë, 2 Nëntor 2026

GJKKO kthen për plotësim dosjen e SPAK për Elvis Roshin

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka kthyer për plotësim kërkesën e SPAK për dërgimin në gjyq të ish-kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi.

SPAK e akuzon Roshin për shpërdorim detyre dhe favorizim në procedurat e tenderimit, vepra penale që, sipas organit të akuzës, janë kryer në më shumë se një episod.

GJKKO ka vlerësuar se kërkesa e Prokurorisë së Posaçme duhet të saktësohet më tej, duke kërkuar që për secilin episod të përshkruhen në mënyrë të detajuar faktet penale dhe veprimet konkrete që i atribuohen ish-kryebashkiakut.

Nga ana e tij, Elvis Roshi ka kundërshtuar akuzat dhe ka kërkuar shpalljen e pafajësisë.

Procedimi penal ndaj ish-kryebashkiakut nisi pas një kallëzimi të bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Hetimet u zhvilluan fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, e cila më pas ia kaloi çështjen për kompetencë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), për shkak të funksionit që ushtronte i pandehuri në kohën e kryerjes së veprave të dyshuara. a.b

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›