E Diel, 1 Nëntor 2026

GJKKO lë në burg Marsel Liçajn, dyshohet për trafik heroine Shqipëri-Danimarkë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për Marsel Liçaj, i dyshuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal të përfshirë në trafikun e heroinës mes Shqipërisë dhe Danimarkës.

Ndërkohë, gjyqtarja Rudina Palloj konfirmoi masën “detyrim paraqitje” për Ermal Liçaj.

Sipas hetimeve, të dy personat dyshohen për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale ose grup i strukturuar kriminal”.

Autoritetet daneze kanë regjistruar procedimin penal në muajin gusht të vitit 2023, duke nisur hetimet ndaj një grupi shtetasish shqiptarë dhe të huaj që dyshohet se merreshin me trafikimin dhe shpërndarjen e heroinës në territorin e Danimarkës.

Sipas dosjes hetimore, aktiviteti kriminal është zhvilluar nga 1 tetori 2023 deri më 23 janar 2024, në shtatë episode të ndryshme, ku anëtarët e grupit kanë trafikuar heroinë drejt Mbretërisë së Danimarkës përmes territorit suedez.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se lënda narkotike përgatitej për tregun danez duke u përzier me substanca të tjera si paracetamol dhe kafeinë, me qëllim rritjen e sasisë dhe fitimeve nga shitja.

Nga bashkëpunimi mes autoriteteve shqiptare dhe daneze është bërë i mundur identifikimi dhe procedimi penal në Danimarkë i tre personave, mes tyre dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas i huaj.

Ndërkohë, në Shqipëri janë identifikuar edhe dy shtetas të tjerë shqiptarë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal ndërkombëtar.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›