E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

GJKKO pranon kërkesën e SPAK, kalon për gjykim deputeti Ndreca dhe 15 të tjerë

TIRANË, 20 mars /ATSH/ Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dërguar për gjykim deputetin e Partisë Socialiste Plarent Ndreca si dhe 15 të tjerë.

Gjyqtarja Elsa Ulliri pasi shqyrtoi pretendimet e palëve vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin në gjyq të Plarent Ndrecës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Për gjykim janë dërguar edhe Denisa Skënderaj, Blendi Kovi, Lira Kolasi, Ferdinant Tarazhi, Grida Isufi, Jonarda Qurku, Lindita Mukaj, Silva Dauti, Denisa Klosi, Julia Hysa, Elora Kokalari, Aida Shehi, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

Ndërkohë Klejdi Meço, Emiliano Mehmeti dhe Erand Rroboçi, akuzohen për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Sipas raportimeve në medie, Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.

Kallëzimi në SPAK u bë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili dyshon se zyrtarët kanë lejuar mospërputhje dhe devijime ligjore në garën për ndërhyrje në Komisariatet e Vlorës, Mirditës, Pogradecit dhe atij nr. 4 në Tiranë.

/r.e/ /a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›