GJKKO sekuestron pasurinë e paluajtshme të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) paraqiti kërkesën pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për konfiskimin e pasurisë së paluajtshme me sipërfaqe 60 m2 në zotërim të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtuese, Bashkim Dedja.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Flora Hajredinaj, bazuar në nenet e ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë” vendosi konfiskimin e pasurisë së paluajtshme (apartament) dhe kalimin e saj në favor të shtetit, duke urdhëruar ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
Pasuria në fjalë ishte regjistruar në emër të një shtetasi tjetër.
GJKKO ka urdhëruar sekretarinë e gjykatës, t’i dërgojë një kopje të vendimit Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara për ekzekutimin e menjëhershëm.
Akuzat ndaj ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese
Gjykata e Posaçme, pak më shumë se një vit më parë, e dënoi me 6 muaj burg ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetueses, Bashkim Dedja. Ai u akuzua për fshehje të pasurisë, por dënimi iu konvertua në 1 vit shërbim prove. Prokuroria kishte kërkuar 1 vit burg për Dedjan, por Gjykata dha dënimin me 6 muaj.
Bashkim Dedja ishte i pari nga ish-gjyqtarët dhe ish-prokurorët e shkarkuar nga vetingu, që u dënua nga Gjykata e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit. Ish-kryegjyqtari e kaloi shkallën e parë të vetingut, por ishte shkalla e dytë, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, që e rrëzoi atë duke e larguar nga detyra dhe drejtësia, ndërsa të tjerë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga vetingu mbeten ende nën hetim.
SPAK e akuzoi Dedjan se kishte fshehur në deklarimin e tij një apartament me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem, Kavajë. Sa i takon këtij apartamenti, Dedja ka thënë se është i vëllait të tij dhe thjesht e ka pasur në përdorim, por ky pretendim nuk e bindi Prokurorinë.
Sipas akuzës, Dedja ka kryer deklarim të rremë të një apartamenti me sipërfaqe 146 m2 në Tiranë lidhur me një hua 10 mijë euro të marrë nga kunati i tij. SPAK thekson se nga hetimi, huadhënësi rezultoi në pamundësi për dhënien e kësaj shume.
Bashkim Dedja akuzohej edhe për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme dhe të fshehjes, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
/rtsh.al/