GJKKO shtyn seancën për sterilizimin, SPAK do të shqyrtojë kërkesat e Beqajt

Është shtyrë në Gjykatën e Posaçme seanca gjyqësore për dosjen e sterilizimit, ku i pandehur është ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i cili ishte i pranishëm në sallën e gjyqit së bashku me mbrojtjen e tij.
Shkak për shtyrjen e seancës u bë kërkesa e prokurorëve të SPAK, të cilët kërkuan më shumë kohë për të shqyrtuar materialin dhe kërkesat e paraqitura nga mbrojtja e ish-ministrit.
Prokurori Edvin Kondili deklaroi se organi i akuzës kishte marrë vetëm një ditë më parë materialin e përgatitur nga mbrojtja e Beqajt.
“Ne kemi mundur vetëm dje që të zotërojmë kopjen e materialit prej 93 faqesh të përgatitur nga mbrojtja e Ilir Beqajt. Ka qenë e pamundur të bëjmë një lexim të këtij materiali. Për këtë arsye kërkojmë kohë për të mbajtur qëndrim përfundimtar lidhur me kërkesat e paraqitura nga Beqaj”, u shpreh prokurori Kondili.
Gjykata vendosi që seanca e radhës të zhvillohet javën e ardhshme.
Ilir Beqaj po gjykohet për akuzat e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “grupit të strukturuar kriminal” në lidhje me koncesionin e sterilizimit.
Ndërkohë, tetë të pandehurit e tjerë të dosjes, mes tyre ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, janë gjykuar veçmas me procedurën e gjykimit të shkurtuar.
Gjykata më herët ka rrëzuar për Rjepajn dhe Rrapajn akuzën e “grupit të strukturuar kriminal”, ndërsa procesi ndaj ish-ministrit vijon në Gjykatën e Posaçme.