E Enjte, 5 Nëntor 2026

GJKKO vendos më 11 korrik për dosjen “Partizani” dhe masën e sigurisë së Berishës

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit shtyu për në 11 korrik vendimin për afatet e hetimit për dosjen hetimore “Partizani”, ku nën hetim është dhe Berisha ndërkohë që në të njëjtën datë pritet edhe shqyrtimi i kërkesës së ish-kryeministrit për zbutje të masës së sigurisë.

Berisha ndodhet në arrest shtëpie prej dhjetorit të kaluar.

Berisha akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit”, lidhur me procedurat e ndjekura për privatizimin e ish kompleksit “Partizani”.  Sipas SPAK, Berisha me veprimet e tij, dyshohet se ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, ky i fundit pjesëtar i një prej familjeve trashëgimtare, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Edhe Malltezi është nën hetim nga SPAK me të njëjtën masë sigurie si Berisha “arrest shtëpie”.

Të pranishëm në seancën e zhvilluar të martën ishin avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha Genc Gjokutaj dhe avokati Klodian Skënderi, mbrojtës ligjor i Jamarbër Malltezit. Të 2 mbrojtësit ligjorë kërkuan ndryshimin e masës së sigurisë për Berishën dhe Malltezin.

Po këtë të martë në seancë pritej të shqyrtohej afati dymujor i hetimeve të kryera nga SPAK, por Berisha dhe Malltezi nuk ishin informuar mbi mbajtjen e kësaj seance, e cila përkon dhe me përfundimin e afatit të hetimeve të kësaj dosje. Kësisoj, Prokuroria e Posaçme duhet t’i komunikonte avokatëve përfundimin ose shtyrjen e hetimeve me 3 muaj të tjerë.

Në këto kushte, Gjykata vendosi që trajtimi i çështjes të vazhdojë më 11 korrik. Pas seancës, mbrojtësi ligjor i Berishës, Genc Gjokutaj tha se çështja duhet pushuar. Sipas tij,  çështja po shtyhet pa arsye.

“Ne kërkojmë zëvendësimin e masës sepse mungon çështja në thelb. Këta edhe ta zgjasin afatin, edhe të mos e zgjasin, një çështje që nuk ka një fabul akoma të përshkruar nga prokuroria, sigurisht që nuk duhet zgjatur, por duhet marrë zgjidhja ligjore që është pushimi i hetimeve”, tha Gjokutaj.

“Ata duhet t’i thërrasin mendjes se edhe sikur të bëjnë një tjetër zgjatje të sforcuar, ata nuk kanë gjë në inventar në kuptimin e provave. I bëj thirrje që të ndërmarrin një veprim ligjor të duhur njëherë në jetë sepse hetimet janë shtrirë në një drejtim që nuk ka lidhje me korrupsionin”, përfundoi Gjokutaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›