GJL cakton Gjykatën e Tiranës si kompetente për ankimin e Veliajt ndaj prokurorisë për kallëzimin ndaj “Nesti Angonit”

TIRANË, 27 tetor /ATSH/ Gjykata e Lartë ka zgjidhur mosmarrëveshjen e kompetencës ndërmjet Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, duke përcaktuar se çështja penale me ankues kryebashkiakun Erion Veliaj duhet të shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës.
Çështja lidhet me ankimin e Veliajt kundër vendimit të prokurores B.H., të datës 8 maj 2026, për mosfillimin e procedimit penal ndaj personit të njohur si “Nesti Angoni”. Përmes ankimit, Veliaj kërkon shfuqizimin e këtij vendimi, regjistrimin e procedimit penal dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse.
Në vendimin e saj, Gjykata e Lartë përcakton se kompetente për shqyrtimin e çështjes është Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Vendimi do t’u komunikohet dy gjykatave të përfshira në mosmarrëveshjen e kompetencës, me qëllim vijimin e gjykimit të çështjes.
/m.q/r.e/a.f/