E Diel, 1 Nëntor 2026

GREQI – Dy zjarrfikës vdesin në luftë me flakët në Kretë

KRETË, 29 korrik /ATSH-AFP-DPA-ANA/ – Dy zjarrfikës humbën jetën sot, ndërsa po luftonin një zjarr pyjor në ishullin grek të Kretës, njoftoi shërbimi kombëtar i zjarrfikësve, ndërsa disa zjarre shpërthyen në të gjithë vendin për shkak të erërave të forta.

“Dy zjarrfikës humbën jetën në krye të detyrës”, tha Yiannis Artopios, zëvendëszëdhënës i shërbimit grek të zjarrfikësve.

Zjarrfikësit po përballen me një zjarr të fuqishëm dhe jashtë kontrollit në ishullin grek të Parosit, në detin Egje, duke detyruar evakuimin e disa komuniteteve, ndërsa flakët po përhapen me shpejtësi.

Sipas raportimeve të mediave, shërbimet e emergjencës u kanë kërkuar banorëve të largohen drejt plazheve aty pranë.

Fillimisht, nuk pati raportime për të plagosur apo për shtëpi të shkatërruara.

Dhjetëra zjarrfikës janë angazhuar në ishullin e Kikladeve që prej së martës, ndërsa janë kërkuar përforcime nga ishujt fqinjë Naksos dhe Siros, si dhe nga Greqia kontinentale.

Fshati Agkairia konsiderohej zona më e rrezikuar, raportuan gazetat greke “Proto Thema” dhe “Kathimerini”.

Zjarri u përhap nga temperaturat shumë të larta të verës dhe bimësia e tharë. Erërat e forta vështirësuan përpjekjet për shuarjen e flakëve dhe parashikohet të forcohen edhe më shumë gjatë ditës së sotme.

Greqia deri tani, i ka shmangur valët e mëdha të të nxehtit. Megjithatë, vitet e fundit periudhat e gjata me temperatura ekstreme, thatësira dhe erëra të forta kanë krijuar kushte të favorshme për zjarre të mëdha pyjore.

Pas zjarreve shkatërruese të viteve të kaluara, Greqia ka zgjeruar kapacitetet e saj për përballimin e emergjencave.

Shërbimi zjarrfikës tashmë disponon 85 avionë për shuarjen e zjarreve dhe rreth 18 mijë punonjës të përhershëm dhe sezonalë.

Në zonat me rrezik të lartë, janë vendosur gjithashtu më shumë se 100 baza dronësh, të cilat përdoren për zbulimin e hershëm të zjarreve.

Ndërkohë, janë lëshuar në hapësirë edhe katër satelitë të posaçëm për monitorimin e zjarreve, veçanërisht në rajonet më të thata./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›