E Diel, 1 Nëntor 2026

GREQI – Fermerët përshkallëzojnë mobilizimin deri në festat e fundvitit

ATHINË, 19 dhjetor /ATSH-ANA/ –  Fermerët në bllokadën e Malgaras, në autostradën kombëtare Selanik–Athinë, do të mbyllin korsitë e trafikut në drejtim të Selanikut nga sot deri më 23 dhjetor, ndërsa korsitë në drejtim të kundërt mbeten të mbyllura për ditën e 19-të radhazi.

Fermerët kanë vendosur sot të lejojnë kalimin e avokatëve dhe dëshmitarëve që marrin pjesë në gjyqin për tragjedinë e Tempit.

Ndërkohë, sipas një anëtari të komitetit koordinues të bllokadës, nga sot deri më 23 dhjetor do të mbahen çdo ditë grumbullime  të përgjithshme në intervale të rregullta dhe, nëse shihet e nevojshme për të lehtësuar ngarkesën apo për të favorizuar qarkullimin, korsitë në drejtim të Selanikut do të hapen përkohësisht.

Sa i përket qëndrimit që fermerët do të mbajnë nga 24 dhjetori e në vijim, vendimi do të merret në një grumbullim  të ri të përgjithshëm.

Megjithatë, skenari më i mundshëm është që traktorët të rreshtohen në anën e majtë dhe të djathtë të rrugës pranë pikës së pagesës së Malgaras, për të lehtësuar lëvizjen e udhëtarëve gjatë festave.

Paralelisht po shqyrtohet edhe heqja e përkohshme e trarëve të pagesës, në mënyrë që drejtuesit e mjeteve të kalojnë pa paguar tarifë.

Po ashtu, pjesëmarrësit në bllokadën e Halkidonës do të realizojnë sot një mbyllje dyorëshe, duke nisur  të dy drejtimet e rrugës së vjetër kombëtare Selanik–Edessa. Bllokada është përforcuar nga fermerë nga zona të ndryshme të Pellës.

Ndërkohë, bllokada e ngritur me iniciativën e bletërritësve dhe fermerëve në njësinë rajonale të Halkidikisë vazhdon të përforcohet, te semaforët e Nikitit, në Sithonia./   /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›