E Diel, 1 Nëntor 2026

GREQI – Ulen mbërritjet e migrantëve dhe rriten kthimet

ATHINË, 21 korrik /ATSH-ANA/ – Sipas burimeve të Ministrisë greke të Migracionit dhe Azilit fluksi i migrantëvë drejt Greqisë shënoi rënie të ndjeshme gjatë gjysmës së parë të vitit 2026, ndërsa numri i kthimeve të emigrantëve u rrit.

Sipas të dhënave, kalimet me rrugë detare ranë me 27% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në detin Egje, rënia ishte edhe më e theksuar, duke arritur në 62%.

Në total, flukset migratore u ulën me mbi 15% në gjashtëmujorin e parë të vitit.

Kjo pason rënien prej 21% të regjistruar në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, duke konfirmuar trendin e vazhdueshëm të uljes së mbërritjeve.

Ndërkohë, autoritetet greke raportojnë përmirësim në procesin e kthimit të emigrantëve.

Numri i përgjithshëm i kthimeve u rrit me 21%.

Dëbimet e detyruara u shtuan me 40%, ndërsa kthimet vullnetare të realizuara në bashkëpunim me Organizatën Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) u rritën me 23%.

Gjithashtu është vërejtur një ndryshim edhe në normën e njohjes së kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare (azil).

Sipas Ministrisë greke të Migracionit dhe Azilit, norma e pranimit të kërkesave për azil ishte 39,7% në gjysmën e parë të vitit 2026, krahasuar me 58% në vitin 2025 dhe 71% në vitin 2024, duke treguar një rënie të ndjeshme gjatë dy viteve të fundit./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›