E Diel, 1 Nëntor 2026

Gaiani uron Metën për zgjedhjet: Shqipëria ka hyrë në një kapitull të ri

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta priti sot Ambasadorin e Italisë në Shqipëri, Massimo Gaiani.

Ambasadori Gaiani e uroi z. Meta në emër të Qeverisë italiane për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe vlerësoi pjekurinë, përgjegjësinë dhe vullnetin e treguar nga populli shqiptar. Ambasadori u shpreh se mbarëvajtja e zgjedhjeve të 23 qershorit tregoi se Shqipëria ka hyrë në një kapitull të ri.

Nga ana tjetër kreu i LSI Meta u shpreh se vota e mençur e shqiptarëve tregon përgjegjësinë e madhe që është vendosur mbi supet e koalicionit të ri për të siguruar progresin e vërtetë të vendit dhe për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Në këtë drejtim, Meta theksoi se është e rëndësishme që qeveria e re të tregojë transparencë, përgjegjshmëri dhe konstruktivitet maksimal.

Z. Meta dhe Ambasadori Gaiani ndanë bindjen se partneriteti strategjik mes dy vendeve duhet thelluar edhe më tej me qëllim avancimin e objektivave të përbashkëta, veçanërisht në fushën e investimeve dhe bashkëpunimit bilateral në kuadër të axhendës evropiane.

Ambasadori Gaiani shprehu gadishmërinë e Qeverisë italiane për të ndihmuar jo vetëm në arritjen e prioriteteve kyçe të BE-së, por edhe në zhvillimin e sektorëve strategjikë të Shqipërisë me interes të ndërsjellë ekonomik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›