Gara në PS, miratohet lista më 82 mijë zgjedhës
Miratohen listat e zgjedhësve që do të votojnë më 26 shtator për kryetar të Partisë Socialiste. Janë plot 82 177 anëtarë të Partisë Socialiste, të cilët do të ftohen të shtunën tjetër që të marrin pjesë në zgjedhjen e kryetarit të ri të kësaj force për një mandat katërvjeçar.
Komisioni i Zgjedhjeve në Partinë Socialiste, i drejtuar nga Genci Gjonçaj, ka miratuar të enjten listën e plotë dhe përfundimtare të anëtarësisë që ka të drejtë vote për zgjedhjet e ardhshme për kreun e ri të kësaj force.
Lista
Në zbatim të Kodit të Zgjedhjeve, Komisioni i Zgjedhjeve në PS (KZP), në mbledhjen e tij të fundit mori në shqyrtim të gjitha listat e anëtarësisë të vëna në dispozicion nga degët lokale për të nxjerrë më pas dhe numrin e plotë të zgjedhësve që kanë të drejtë vote.
Kështu, KZP-ja, pasi shqyrtoi një për një të gjithë korrespondencën e kryer me degët lokale të partisë, duke patur parasysh detyrimin e kodit që përcakton se lista e zgjedhësve përfshin anëtarët e partisë së regjistruar si të tillë, sipas rastit, deri 30 qershor, gjeti në përputhje me të dhe miratoi si zgjedhës që mund të votojnë më 26 shtator 82 177 individë, që dhe bëjnë normalisht jetë partie.
Lista e miratuar është përgatitur mbi bazën e çdo vendvotimi dhe ajo përmban emrin, atësinë, mbiemrin dhe datëlindjen e anëtarit të PS-së, emërtimin e organizatës socialiste ku bën pjesë, numrin e dokumentit të anëtarësisë sipas regjistrit qendror të partisë.
Gjithashtu, në listë është lënë dhe një kolonë e veçantë, në të cilën do të vendoset nënshkrimi i votuesit.
Pavarësisht angazhimit të këtij komisioni, duket se edhe në këtë drejtim ka vonesa, pasi lista është afishuar në vendvotimet e shpallura një javë para datës së zgjedhjeve dhe jo 15 ditë para, siç edhe e përcakton Kodi Zgjedhor.
Tani, pas afishimit, anëtarët e PS-së dhe kandidatët konkurrues kanë të drejtë të kërkojnë në KZP korrigjimin e gabimeve, shtimin ose heqjen e emrave nga lista e zgjedhësve dhe ky komision, brenda 24 orëve duhet të marrë vendimin për korrigjimin përkatës.
Lista e zgjedhësve shpallet në vendvotimet përkatëse jo më vonë se 7 ditë para ditës së zgjedhjeve. Vlen të kujtojmë këtu se PS-ja ka numrin më të madh të anëtarësisë në Shqipëri, numër ky që e kalon me gati dhjetë mijë edhe numrin e votuesve të LSI-së në zgjedhjet e fundit parlamentare (71 mijë).
Votimi
Vendvotimet, si rregull ngrihen mbi bazë bashkie/komune, përjashto rastin kur për pamundësi teknike, nga KZP-ja vendoset ndryshe.
Në një vendvotim, si rregull, nuk duhet të ketë më shumë se 1000 zgjedhës, ndërsa ambienti i votimit caktohet nga KZPRR-ja, me propozim të kryesisë (kryetarit) së PS-së në bashki/komunë.
Vendvotimet caktohen në mjediset e PS-së dhe nëse nuk është e mundur, caktohen në një ambient që garanton votimin pa pengesa të zgjedhësve dhe vëzhgimin normal të procesit të votimit.
Në hyrje të çdo vendvotimi vendosen flamuri dhe stema e PSSH-së, si dhe një tabelë treguese, e cila përmban të dhëna për identifikimin e vendvotimit. Jo më vonë se 3 ditë para datës së votimit, KZP-ja dërgon në çdo KZPRR dokumentacionin dhe materialin zgjedhor për votimin, të cilët jo më vonë se 24 orë para votimit i dërgojnë në çdo KZPB/K e KVV.
Komisioni votimit paraqitet në vendvotim një orë përpara fillimit të procesit dhe përgatit ambientin për pritjen e votuesve. Nëse emri figuron në listë, KZPB/K apo KVV-ja i kërkon zgjedhësit të paraqesë kartën e anëtarësisë të shoqëruar me një dokument identifikimi.
KZPB/K apo KVV-ja bën këqyrjen e këtyre dokumenteve dhe, nëse ato përputhen me të dhënat e listës së zgjedhësve dhe pamjen e zgjedhësit, i jep atij një fletë votimi për kryetar të PSSH-së. Fleta e votimit është e vulosur paraprakisht nga KZPRR-ja dhe nënshkruhet në momentin e dorëzimit zgjedhësit nga kryetari e nënkryetari i komisionit.
10 shtator
Zgjedhjet në PS, Rama e Lakrori nisin fushatën
ELBASAN- Dy garuesit për kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Maqo Lakrori, filluan dje fushatën ne bazë.
Me një pamje të re të shoqëruar nga një ngjyrë portokalli në sfond nën moton "një anëtar një votë" startoi dje prezantimi i platformës të dy kandidatëve në teatrin "Skampa" të Elbasanit. Ka qenë Maqo Lakrori, kandidati që ka prezantuar fillimisht në vija të përgjithshme platformën e tij për zgjedhje të parakohshme dhe për bashkimin e socialistëve në një broshurë të shpërndarë qysh në fillim të takimit. Gjatë fjalës së tij, Lakrori është shprehur në favor të pasjes si objektiv zgjedhjet e parakohshme, ndërsa ka kundërshtuar mënyrën që Partia Socialiste po ndjek për shkaktimin e këtyre zgjedhjeve.
Ndërkohë Rama ka nisur fjalën duke u ndalur tek largimet nga puna, që sipas tij janë bërë dhe po bëhen ndaj atyre personave që guxuan të marrin pjesë në mitingjet e Partisë Socialiste apo për shkak se besuan në një alternativë tjetër nga alternative e pushtetit.
"Ne kemi qenë ata që kemi mirëkuptuar dhe kemi mbështetur kur Shqipërisë i duhej anëtarësimi në NATO dhe sot i duhet anëtarësimi në BE. Por ky proces u transformua në kurorëzimin e masakradës zgjedhore me një rezultat që për ne është i papranueshëm dhe nga i cili lindi dje një kuvend që nuk e ka legjitimitetin e plotë për të pasur një proces normal legjislativ dhe nga ku do të dalë një qeveri që është shëmbëlltyra e maskaradës zgjedhore nga njëra anë dhe nga degjenerimi i politikës nga ana tjetër. Shëmbëlltyra që bën bashkë Sali Berishën dhe Ilir Metën si stacioni i fundit i një qeverisjeje që ka neveritur shqiptarët me dyfytyrësinë e vet dhe që nuk ka sesi të çojë përpara vendin tonë, të çojë përpara ekonominë e vendit tonë, të çojë përpara të gjitha çështjet jetike për familjet e shqiptarëve që pa asnjë dyshim meritojnë të jetojnë në një Shqipëri demokratike", - tha Rama.
Kreu i PS-së, ka nënvizuar edhe qëndrimin e kësaj partie përballë parlamentit. "Refuzojmë ta pranojmë këtë parlament si kuvendi legjitim i të gjithë popullit shqiptar. Ky parlament nuk e ka legjitimitetin e domosdoshëm për të diktuar punët e vendit me forcën e kartonëve. Dhe nga ana tjetër refuzojmë të pranojmë një realitet të deformuar të kësaj maskarade zgjedhore, e cila përfundoi me cenimin e një të drejte ligjore dhe demokratike për të hapur kutitë e dyshuara", - shtoi ai.
Rama më tej gjatë fjalës së tij, u ndal tek presionet që iu janë bërë zgjedhësve duke marrë si shembull republikat e ish- Bashkimit Sovjetik. "Ne do të luftojmë me çdo mjet demokratik. Nuk mund të pranojmë që mund të qeverisemi nga një shumicë e krijuar përmes dhunës shtetërore në çdo aspekt të shfaqjes së shtetit përballë qytetarëve. Nuk mund të pranojmë të qeverisemi nga një shumicë e cila na mohon një të drejtë elementare për të bërë transparencë të plotë lidhur me atë që fshihet në errësirën e kutive të votimit, lidhur me operacionin kriminal që ka bashkuar autoritetet shtetërore me autoritetet e krimit, që me leje të paligjshme janë liruar nga burgjet për të marrë pjesë në fushatën elektorale të pushtetit. Nuk mund të pranojmë të qeverisemi pa u kthyer në punë të gjithë ata që morën pjesë në aktivitetet e opozitës duke ushtruar një të drejtë kushtetuese",- tha ai.
******
dt 4 shtator
Zgjedhjet në PS, Lakrori prezanton platformën
TIRANË- Maqo Lakrori, kandidati për postin e kryetarit të Partisë Socialiste hapi sot zyrtarisht fushatën për zgjedhjen e kreut të ri të partisë.
Platforma e tij politike përbëhet prej dhjetë pikash, ku sipas tij synohet bashkimi i së majtës, ndryshimet statutore, rikthimi e solidaritetit brenda PS-së etj.
Lakrori ka ftuar kreun në detyrë të partisë, Edi Ramën në debate të përbashkëta lidhur me programet e tyre, në garën për kreun e ri të partisë.
"Ftoj z. Rama që të paraqitemi së bashku në të 12 qarqet e vendit, në takime të përbashkëta me anëtarësinë socialiste për të parashtruar argumentet dhe opsionet tona për drejtimin e Partisë Socialiste për katër vitet në vazhdim", tha Lakrori.
Në deklaratën e tij ai kundërshtoi objektivin e PS-së për një bojkotim të mundshëm të punimeve të parlamentit të ri, të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit, të cilat janë kontestuar në vijimësi nga opozita.
Zgjedhja e kryetarit të ri të PS-së u vendos në punimet e Kongresit të Jashtëzakonshëm të socialistëve një javë më parë, pas ndërprerjes së mandatit të kryetarit Rama. Për postin e kryetarit të ri të PS-së, që do të zgjidhet në Kongresin e ardhshëm të socialistëve më 26 shtator, konkurrojnë dy kandidatë: Maqo Lakrori dhe Edi Rama, ndërkohë që kandidati tjetër, Arben Malaj u tërhoq nga gara.