E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gara për kreun e PD, Berisha konfirmon pjesëmarrjen: ‘Neni Basha’ nuk ka pse të preket

Kryesia e Partisë Demokratike hapi një ditë më parë garën për kryetarin e PD-së. Kryedemokrati Berisha në një dalje për mediat, ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në garë.

Pyetur nëse pjesëmarrja e tij në garë bie ndesh me nenin 46 pika 8 e Statutit të PD-së (“Neni Basha”, që e detyron largimin e kryetarit  menjëherë pas humbjes së zgjedhjeve), Berisha deklaroi se neni flet për zgjedhje dhe jo për farsë elektorale.

“Nëqoftëse ka një realitet absolut të padiskutueshëm është, zgjedhjet ishin farsë elektorale.

Pra sa herë zgjedhjet humben kur ato janë normale, është detyrë e atij që udhëheq, të largohet, të japë dorëheqjen. Farsa elektorale është tjetër, është detyrë të luftojë diktaturën, duhet të luftojë. Ne e bëmë luftën tonë dhe po e bëjmë, në kuptimin që ne, farsë elektorale ishte dhe 2021. Po absolutisht, e kam shkruar dhe i qëndroj 100%, vota vdiq pa hyrë në kuti.

Por ai zotëria e kishte mendjen koalicion të madh me Edi Ramën, nuk kishte mendjen të mbronte votën e qytetarëve shqiptarë. Dhe unë ja thashë atij të nesërmen, kjo është farsë ne duhet të mbrojmë votën e shqiptarëve”, deklaroi Berisha.

Ky i fundit shtoi se neni 48 pika 8 nuk ka përse të pësojë ndryshime, pasi bën fjalë për zgjedhje.

“Ai bën fjalë për zgjedhje. Dhe unë edhe njëherë mund t’u them, në radhë të parë ndryshimet e statutit janë një proces normal para çdo Kuvendi. Në çdo Kuvend ka propozime të ndryshme dhe je i detyruar t’i shqyrtosh ato. Njëra anë.

Ana tjetër, ai nen nuk ka pse të ndryshojë se ai thotë zgjedhje dhe zgjedhjet kanë një gjë, nuk janë vetëm një… vlerësimi i tyre nuk është vetëm kombëtar, vlerësimi i tyre është edhe ndërkombëtar. Atëherë pra nuk ishin zgjedhje, ishin farsë. Kështu që ky nen, mendoj unë, nuk duhet të preket”, theksoi ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›