Garanci financiare për dëmet mjedisore, detyrim për operatorët e veprimtarive të rrezikshme

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Operatorët që ushtrojnë veprimtari të konsideruara të rrezikshme për mjedisin do të duhet të sigurojnë paraprakisht garanci financiare për përballimin e dëmeve të mundshme mjedisore.
Këshilli i Ministrave miratoi sot metodat dhe procedurat për sigurimin e këtyre garancive, të cilat synojnë të sigurojnë fondet e nevojshme për masat parandaluese, rehabilituese dhe kompensimin e dëmit në mjedis.
Sipas vendimit, garancia financiare mund të sigurohet nëpërmjet një garancie bankare të parevokueshme dhe të pakushtëzuar, të pagueshme me kërkesën e parë me shkrim të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), ose përmes një kontrate sigurimi që mbulon përgjegjësinë për dëmin në mjedis. Operatori mund të përdorë edhe një kombinim të të dyja formave.
Garancia duhet të sigurohet përpara fillimit të veprimtarisë dhe të mbahet e vlefshme pa ndërprerje gjatë periudhës së përcaktuar nga AKM-ja, përfshirë edhe periudhën pas përfundimit ose mbylljes së aktivitetit, në varësi të rrezikut të mbetur dhe detyrimeve për rehabilitimin e mjedisit.
Vlera e garancisë financiare do të përcaktohet nga AKM-ja për çdo operator, veprimtari dhe vendndodhje, bazuar në vlerësimin e rrezikut dhe kostot e mundshme të masave që mund të kërkohen.
Sipas vendimit, vlera e garancisë nuk mund të jetë më e ulët se kostoja e plotë e vlerësuar e masave dhe kompensimit që mund të kërkohen për skenarin më të rëndë të parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme. Gjithashtu, madhësia apo gjendja financiare e operatorit nuk mund të përdoren si arsye për uljen e kësaj vlere.
Garancia do të mbulojë, ndër të tjera, kostot për vlerësimin e kërcënimit ose dëmit në mjedis, masat parandaluese, kontrollin dhe eliminimin e faktorëve që kanë shkaktuar dëmin, masat rehabilituese, si dhe kompensimin kur rehabilitimi dhe kthimi i mjedisit në gjendjen e mëparshme nuk është i mundur.
Në rast se operatori nuk merr masat e kërkuara parandaluese ose rehabilituese, nuk paguan kompensimin e përcaktuar apo ndodhet në pamundësi financiare për të përmbushur detyrimet, AKM-ja mund të kërkojë ekzekutimin e garancisë financiare.
Fondet e përfituara nga ekzekutimi i garancisë do të përdoren ekskluzivisht për mbulimin e kostove të lidhura me parandalimin, rehabilitimin dhe kompensimin e dëmit mjedisor.
Në vendim thuhet se për operatorët që aktualisht ushtrojnë një veprimtari të përfshirë në listën e aktiviteteve të rrezikshme, vendimi parashikon një periudhë kalimtare. Ata duhet të paraqesin pranë AKM-së vlerësimin e rrezikut dhe preventivin e kostove brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e vendimit, ndërsa garancia financiare duhet të sigurohet jo më vonë se 12 muaj nga hyrja në fuqi.
Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe struktura përgjegjëse inspektuese në fushën e mjedisit ngarkohen për zbatimin e vendimit.
/e.i/r.e/