E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati financimi për “Portën e Alpeve” – 100 mln € për turizmin mal-det në veri

Komisioni për Bujqësinë miratoi marrëveshjen me Bankën Evropiane të Investimeve për financimin e projektit “Porta e Alpeve”, që parashikon një hua të parë prej 50 milionë eurosh për zhvillimin e infrastrukturës në Shqipërinë e Veriut. 

Projekti synon krijimin e një korridori turistik që lidh Alpet Shqiptare me bregdetin Adriatik, duke nxitur zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së komuniteteve lokale. 

“Projekti synon ndërtimin për herë të parë të një korridori të integruar zhvillimi që lidh Alpet shqiptare me bregdetin Adriatik nëpërmjet liqenit të Shkodrës, lumit Buna, Velipojës dhe Shëngjinit.” – tha Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj. 

“Porta e Alpeve” është një nismë strategjike që synon transformimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë së Veriut.

Marrëveshja e miratuar në Komisionin për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural parashikon një hua prej 50 milionë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve, ndërsa vlera totale e projektit arrin në 100 milionë euro. Pjesa tjetër e financimit do të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera. 

“Projekti synon adresimin e një nga problemeve më të rëndësishme strukturore, aksesin dhe lidhjen territoriale ndërmjet këtyre tre bashkive. Ky projekt synon elementë që jo vetëm përmirësojnë sezonin turistik, por edhe synojnë ta zgjasin atë.” – shtoi Yzeiraj. 

Projekti nuk fokusohet vetëm në zhvillimin urban, por edhe në rritjen e funksionalitetit ekonomik të bashkive veriore dhe përmirësimin e lidhjes së tyre me zonat turistike. 

Zbatimi do të zgjasë pesë vite dhe do të realizohet nga Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit, me pritshmëri për rritje të punësimit dhe forcim të ekonomisë lokale. 

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›