Gati kalimi alternativ/ Ja kur pritet të hapet aksi Librazhd-Pogradec

Aksi Librazhd-Pogradec mund të hapet të hënën në mesditë, kjo pas bllokimit që ndodhi si pasojë e rrëshqitjes së dherave.
By-Pass, i cili po hapet për të bërë të mundur kalimin në pjesën e shembur do të jete gati nesër.
Situata në segmentin rrugor është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së urës, duke rritur rrezikun për çdo lloj qarkullimi.
LEXO EDHE: Bllokimi i rrugës Librazhd-Pogradec/ Prokuroria zbarkon në Dragostunjë, nis hetimet
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetim kryesisht ndaj kompanisë që po punon për zgjerimin e Korridorit të VIII në zonën e Dragostunjës ku ka ndodhur rrëshqitja masive e tokës në aksin Përrenjas-Librazhd.
Hetimi do të fokusohet në shkaqet që çuan në rrëshqitjen masive e cila shembi rrugën, linjën hekurudhore, linjat elektrike e rrezikon më tej.
Prokuroria në bashkëpunim me institucionet e tjera kompetente do të verifikojë lejen për marrjen e inerteve në Shkumbin dhe zbatimin e saj. Hetimet e prokurorisë nisën pas denoncimit me pamje filmike në Top Channel.
Objekt i hetimit do të jetë e gjithë rruga pra nga Peqini në Qukës që mbulon zona e Prokurorisë së Elbasan, pasi lumi Shkumbin po shfrytëzohet masivisht në disa zona.