Gati ligji i ri i turizmit/ Synohet ulje e informalitetit, shërbim më cilësor dhe mbrojtje konsumatorëve

Një projektligji i ri është gati për të marrë opinionet, komentet dhe vërejtjet e biznesit, në fund të sezonit veror turistik të vitit 2023. Projekti ka ndryshuar ligjin e vitit 2015 “Për turizmin” dhe ka për qëllim të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik tërheqës autentik për vizitorët, duke mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.
Sipas relacionit të publikuar, ndryshimet kanë për qëllim të sigurojnë që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve, nëpërmjet rritjes në vazhdimësi të cilësisë së ofrimit të shërbimeve në sektorin e turizmit, në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritëse.
Në projektin e ri janë marrë në konsideratë edhe problematikat e vërejtura sa i përket mbrojtjes së konsumatorëve.
Synohet gjithashtu edhe reduktimi i informalitetit, rregullime ligjore për kategori të reja të strukturave akomoduese, të cilat aktualisht operojnë në treg, por janë të paregjistruara dhe të pastandardizuara.
Gjithashtu, nëpërmjet këtij projektligji do të bëhet riorganizimi i institucioneve përgjegjëse në fushën e turizmit në varësi të ministrisë përgjegjëse të turizmit.
Do të zgjidhen përfundimisht problematikat e strukturave akomoduese informale, që cënonin konkurrencën me subjektet formale, cilësinë e shërbimeve etj;
Ministria përgjegjëse për turizmit thotë se krijimi i një klime të favorshme për subjektet që ushtrojnë veprimtari turistike nëpërmjet lehtësirave proceduriale dhe zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm drejt zonave turistike natyrore, rurale dhe muzeale janë thelbi i ligjit të ri të përmirësuar.
Gazetar: Bardh Sejdarasi
/rtsh.al/