E Diel, 1 Nëntor 2026

Gatishmëri për zjarret, Emergjencat Civile në Korçë intensifikojnë masat parandaluese

Në kushtet e temperaturave të larta dhe rritjes së rrezikut për zjarre, strukturat e emergjencave civile në Qarkun e Korçës kanë marrë një sërë masash për monitorimin e territorit dhe menaxhimin e situatave emergjente gjatë sezonit veror.

Përgjegjësi i Emergjencave Civile pranë Prefekturës Korçë, Leonidh Muço thekson rëndësinë e parandalimit dhe reagimit të shpejtë, si dhe të koordinimit mes strukturave për mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe mjedisit.

“Strukturat e mbrojtjes civile kanë kaluar në gatishmëri të shtuar. Është me rëndësi të veçantë sinjalizimi i hershëm, funksionimi i sistemit të sinjalizimit të hershëm, për shkak se marrja e informacionit në momentet e para na jep mundësinë që të koordinojmë strukturat dhe të ndërhyjmë, duke mundësuar eliminimin e dëmeve, si dhe neutralizimin në një kohë sa më të shpejtë të vatrave të krijuara në gjithë territorin e qarkut Korçë”, tha ai.

Qytetarëve u bëhet apel për kujdes të shtuar ndaj zjarreve dhe njoftim të menjëhershëm të emergjencave për çdo vatër të konstatuar.

Strukturat e emergjencave civile vijojnë monitorimin e territorit dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në rast të situatave emergjente, me synim kufizimin e rrezikut dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe mjedisit gjatë sezonit veror.

Gazetare Eftjola Fili

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›