E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gaza, vritet një palestinez, kërcënohet marrëveshja e armëpushimit

Gazeta Shqip

Konflikti

Në sulm mbetën të plagosur edhe 19 civilë

Armëpushimi i brishtë i vendosur të mërkurën mes Izraelit dhe Hamasit është kërcënuar seriozisht nga disa incidente në kufirin mes Rripit të Gazës dhe shtetit hebre. Zyrtarë të Hamasit deklaruan se ushtria izraelite ka hapur zjarr ndaj civilëve palestinezëve, duke vrarë një 19-vjeçar e duke plagosur 19 të tjerë. Incidenti ndodhi në zonën neutrale 300 metërshe, ku ndalohet çdo lloj kalimi në kufirin mes Gazës dhe Izraelit. BBC raporton se viktima të plumbave janë protestues fermerë që po kontrollonin arat e tyre në afërsi të zonës neutrale, ndërkohë që Ministria e Mbrojtjes izraelite deklaroi se një grup prej më shumë se 300 palestinezësh u përpoqën të hynin në Izrael nëpërmjet Kufirit të Gazës. Ndërkaq autoritetet izraelite njoftuan dje se kanë arrestuar një person të dyshuar për vendosjen e bombës në një autobus në Tel Aviv. Zyrtarët thonë se i dyshuari është arab, me shtetësi izraelite. Sipas tyre, ai ka lidhje me militantët e Hamasit dhe grupet islamike xhihadiste. Zyrtarët gjithashtu thonë se kanë arrestuar edhe disa militantë të tjerë, të përfshirë në komplotin me bombë. Bomba e vendosur në një autobus udhëtarësh shpërtheu të mërkurën, duke lënë të plagosur të paktën 27 persona.

Ushtria izraelite dhe Hamasi, i cili kontrollon Rripin e Gazës, kanë hyrë në armëpushim që prej mbrëmjes së të mërkurës, pas më shumë se një javë luftimesh. Gjatë konfliktit që zgjati 8 ditë me shkëmbime raketash e bombardimesh nga të dyja palët, humbën jetën të paktën 158 palestinezë dhe 3 izraelitë.

Gaza, vritet një palestinez, kërcënohet marrëveshja e armëpushimit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›