E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gazment Bardhi pritet të mbajë postin e kryetarit të grupit, PD me propozime të reja për kryetarët e komisioneve parlamentare

Partia Demokratike pritet të mbledhë grupin e ri parlamentar për të përcaktuar aksionin politik për  sesionin e ri të Kuvendit që nis në shtator.

Edhe pse ka pasur ide të ndryshme për marrëdhënien me Kuvendin, për shkak të konsiderimit farsë të  zgjedhjeve të 11 majit, deklaratat e kryedemokratit, Sali Berisha të çojnë në konkluzionin se PD-ja nuk do ta bojkotojë Kuvendin.

Në konferencat për mediet, Berisha ka theksuar se PD do të kërkojë ngritjen e disa komisioneve hetimore parlamentare, përfshi edhe atë për çështjen McGonigal.

Por sesioni i ri kuvendor, kërkon si procedurë që në seancën e saj të parë depozitimin nga ana e partive të emrave të drejtuesve të grupeve parlamentare. 

Burime i thanë RTSH-së se Gazment Bardhi edhe pse këtë radhë me rivalë, ka shumë shanse të vijojë të mbajë pozicionin e kryetarit të grupit parlamentar.

Nuk përjashtohet mundësia që deputetë të caktuar të kërkojnë një tjetër nënkryetar të PD-së për postin e kryetarit te grupit, duke e konsideruar tashmë të tejkaluar në kohë dispozitën kalimtare të miratuar në forumet e PD-së në emër të bashkimit prej së cilës Bardhi me vijimin e mbajtjes së postit të kryetarit të grupit parlamentar, u zgjodh automatikisht  pa votim edhe nënkryetar i PD-së.

Pasi dispozita përcaktoi që kreu i grupit të jetë edhe nënkryetar partie.

E njëjta strategji u ndoq edhe për Agron Gjekmarkaj i cili u emërua nënkryetar i Partisë Demokratike. Si propozim i kësaj partie mban edhe postin e nënkryetarit  të parlamentit.

Për hir të procesit të bashkimit nga dy që e përmban statuti, PD e çoi në katër numrin e nënkryetarëve. Luçiano Boçi dhe Oerd Bylykbashi ishin zgjedhur me herët përmes votëbesimit nënkryetarë të Partisë Demokratike.

Demokratët do të përcaktojnë edhe drejtuesit e tyre në komisione të përhershme parlamentare.

Legjislaturën e kaluar, Jorida Tabaku drejtoi atë të integrimit, Ina Zhupa të medies dhe Albana Vokshi të shëndetësisë.

Burime i thanë RTSH-së se pritet të ketë ndryshime nga propozimet e PD-së për këto pozicione, megjithatë si edhe për rastin kreut të grupit, do të jetë grupi i ri parlamentar që do të thotë fjalën e tij të fundit.

Gazetare: Anisa Kadesha

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›