Gazsjellësi TAP, Kryeministri Berisha përshëndet marrëveshjen trepalëshe: Inkurajim real për përzgjedhjen e projektit
Zëdhënësja e Kryeministrit Erla Mëhilli deklaroi gjatë një konference për shtyp se, investimi për gazsjellësin TAP në Shqipëri do të jetë mbi 2 miliardë euro si dhe do të hapë dhjetra mijëra vende pune
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur firmosjen e momorandumit mes tre ministrave të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për ndërtimin e rrjetit të gazsjellësit TransAdriatik Pipeline.
Në një konferencë për shtyp, Erla Mëhilli, zëdhënësja e Kryeministrit, theksoi se memorandumi i firmosur është një garanci dhe inkurajim real për përzgjedhjen e projektit TAP. Për kryeministrin Berisha marrëveshja është shumë e rëndësishme për të treja vendet, pasi projekti i TAP-it ka një impakt të jashtëzakonshëm ekonomik. Gjithashtu, qeveria shqiptare zotohet në përmbushjen e të gjitha detyrimeve rreth këtij projekti strategjik. “Memorandumi përbën një marrëveshje të rëndësishme, me këtë projekt vendet do të njohin nivelet më të larta. Shqipëria është e vendosur të përmbush të gjitha detyrimet për këtë projekt. Ky lajm pushtoi dje mediat ndërkombëtare dhe akti u përshëndet nga zyrtarët e lartë sepse gazsjellësi përbën një nga korriderët më të rëndësishëm të kohës, dhe TAP është projekti më fleksibël për gazsjellësin”- u shpreh Mëhilli.
Ajo theksoi se, investimi për TAP në Shqipëri do të jetë mbi 2 miliardë euro si dhe do të hapë dhjetra mijëra vende pune.
Shqipëria, Italia dhe Greqia nënshkruan dje në Nju Jork një marrëveshje për ndërtimin e një gazsjellësi, i cili nëse miratohet nga një konsorcium investitorësh, do të lidhë tre vendet, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit për në Perëndim.