E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Gërdeci", gjykata: Avokatë, deri të hënën kohë për mbrojtje

TIRANE- Zvarritja pafund e procesit gjyqësor në ngarkim të 28 të pandehurve të procesit "Gërdeci", duket se ka sosur durimin dhe të trupit gjykues. Gjatë seancës së djeshme, kryesuesi i trupit gjykues, Ridvan Hado u ka dhënë një mesazh të gjithë avokatëve duke u lënë atyre kohë deri ditën e hënë për të paraqitur konkluzionet, ose në të kundër do ta quante të përfunduar këtë fazë.

"Ditën e hënë, nëse nuk paraqisni konkluzionet, do ta quaj të ezauruar mbrojtjen", - deklaroi Hado në përfundim të seancës së djeshme gjyqësore. Me anë të këtij paralajmërimi, trupi gjykues i bën të ditur mbrojtjes së në rast të mosrespektimit të këtij afati, atëherë vendimi përfundimtar do të jepet dhe pa konkluzionet përfundimtare të tyre. Ndërkaq, mësohet se në rast se ky veprim ndërmerret nga ana e trupit gjykues të kësaj çështje, nuk ka asnjë shkelje ligjore, pasi Gjykata e Strasburgut për çështjen "Balliu kundër Shqipërisë", në lidhje me një vendim të Gjykatës së Durrësit për dhënien e vendimit përfundimtar pa konkluzionet përfundimtare të mbrojtjes, nuk është quajtur shkelje.

Ndërkohë rezulton se të pandehurit që nuk kanë paraqitur konkluzionet e tyre janë Dritan Minxolli, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Shkëlzen Madani, Shpëtim Spahiu si dhe shoqëria "Alba-Demil". Gjatë seancës së djeshme ishte radha e të pandehurës Juliana Margariti, ekonomiste e MEICO-s, për të cilën Prokuroria kishte kërkuar dënimin me 2 vite e 6 muaj burg. Kjo e pandehur hodhi poshtë të gjitha akuzat e ngritura nga Prokuroria duke kërkuar që të shpallej e pafajshme.
(ma.ar/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›