Gërdeci, një fshat rrezik vdekje
Jetëshkrimi
Doktor, prof. i assoc. Qemal Poçi (1929) është toksikolog veterinarie dhe nënkolonel në lirim. Mbaroi studimet në Moskë në Fakultetin e Veterinarisë Ushtarake në 1956. Më pas kreu detyra të rëndësishme drejtuese për forcat e Armatosura, ndërsa pas largimit nga ushtria punoi te Instituti i Kërkimeve Veterinare derisa doli në pension si toksikolog veterinarie. Gjatë karrierës së gjatë 19 vite shërbeu në ushtri, 17 vite është marrë me punë shkencore dhe po aq kohë ka qenë pedagog i jashtëm për lëndën e toksikologjisë civile apo ushtarake. Është autor i 16 studimeve shkencore dhe i 3 librave.
Banorët janë rikthyer në zonën e tragjedisë, në tokën dhe ajrin e helmuar. Duke injoruar thirrjet e të huajve dhe duke besuar versionin e qeverisë se fshati është sërish i banueshëm. Por çfarë rreziqesh u kanosen të rikthyerve. Një analizë toksikologjike dhe mashtrimi mes analizave të bëra në Shqipëri dhe në Zvicër, që u garanton fshatarëve një “vdekje të ngadaltë”
Në median e shkruar dhe elektronike gjithmonë e më shumë po flitet për shpërthimin e 15 marsit në Gërdec. Me hetimin e shkaqeve të këtij krimi po merren organet përkatëse. Por, veç shkaqeve që e provokuan atë, ajo la edhe pasoja të rënda: tragjedinë dhe katastrofën ekologjike. Nga tragjedia humbën jetën 26 vetë, u plagosën mbi 300 të tjerë, disa prej të cilëve rëndë, u dëmtuan në shkallë të ndryshme mbi 5.000 shtëpi, mbi 30 biznese private dhe mbi 30 ferma bujqësore. U hodhën në erë kursimet e banorëve dhe një pjesë e mirë e tyre mbetën në qiell të hapur. Katastrofa ekologjike është ana tjetër e medaljes. Në Gërdec shpërthyen 3.000 tonë barut, pjesa më e madhe e të cilit ndodhej në municionet e pademontuara. U krijuan mbi 30 milionë metra kub gazra toksike me përmbajtje 1% - disa herë më shumëse nivelet e rrezikshme për jetën. Shpërthyen disa mijëra tonë predha dhe u kthyen në copa, grimca dhe pluhur: nga krateret u ngritën në qiell mijëra tonë dhera të ndotura me metalet toksike të predhave që shpërthyen. Të gjitha këto, falë valës goditëse, që shkoi deri në autostradën Vorë-Durrës, u shpërndanë në formë reshjesh shumë më larg kratereve. Ato, u shtresuan në tokë dhe nga shirat që ranë ato ditë, depërtuan edhe në të, duke ndotur tokën ajrin dhe ujin, sidomos të puseve. Pjesë e ndotjes së mjedisit janë edhe municionet që mbetën të pashpërthyera, të grumbulluara por që akoma nuk janë larguar dhe që përbëjnë një rrezik potencial për jetën e banorëve. Por deri tani me parandalimin e katastrofës nuk po merret njeri. Ajo mbeti jetime dhe u la në mëshirën e fatit. Jam i sigurt se kambanat që po bien për mbi 6 muaj për katastrofën e Gërdecit, nesër do të buçasin edhe më fort, por mund të jetë tepër vonë.
Qysh në fillim të shpërthimit, z. Helmut Lohan, ambasador i zyrës së Komisionit Europian në Tiranë,deklaroi se Gërdeci mund të ripopullohet vetëm kur zona të bëhet e parrezikshme. Këtë deklaratë e ka përsëritur mëse njëherë edhe ambasadori amerikan, zoti Withers me ekspertët e vet. Por të tjerët nuk janë të këtij mendimi.
Më 21 Mars, ministri i Mjedisit deklaroi se zona e Gërdecit nuk paraqet rrezik për t’u ripopulluar. Më 24 Mars në Zvicër dhe Austri u dërguan për analiza mostra dheu dhe uji të ndotur. Rezultatet që përfunduan më 2 prill konfirmuan se ato kishin sasi të larta të metaleve toksike. Vetëm në Zvicër në tokë u evidentuan 19 elementë toksikë, pjesë përbërëse të predhave që shpërthyen. Ndër ta, 14 elementë qenë mbi nivelet maksimale të lejueshme, njëri (yridiumi) qe ndër to dhe 4 të tjerë qenë në nivelet maksimale të pranueshme. Po ashtu, në ujin e ndotur në Zvicër u zbuluan 9 elementë toksikë. Por, rezultatet e këtyre analizave nuk u bënë publike për mbi 5 muaj. Për herë të parë ato u publikuan në media më 23 Gusht 2008.
Njëherësh në tre nga laboratorët tanë u kryen analiza në tokën e ndotur, në të cilat u evidentuan vetëm 6 elementë toksikë (nga 19 që u gjetën në Zvicër) dhe vetëm njëri prej tyre, nikeli qe mbi nivelet e lejueshme nga 14 që u gjetën në Zvicër. Edhe rezultatet e këtyreanalizave u bënë publike më 23 Gusht. Edhe pse laboratorët tanë punuan me të njëjtën metodikë, rezultatet u nxorën të ndryshme.
Në fund të muajit maj, një media deklaroi se një laborator bashkëkohor në Maqedoni, i certifikuar sipas standardeve të BE, në tokat dhe ujin e ndotur të Gërdecit zbuloi elemente toksike si në tokë, ashtu edhe në ujë mbi nivelet maksimale të lejueshme.
Para një muaji një përfaqësues i drejtorisë së shëndetit publik deklaroi në televizor, se në analizat e kryera në Itali për tokat e Gërdecit, në një rreze 200 metra nga epiqendra e shpërthimit u gjet dioksinë. Kam përshtypjen, se autori i kësaj deklarate nuk e kishte dëgjuar ndonjëherë emrin “dioksinë”, prandaj u tregua entuziast kur deklaroi se nivelet e dioksinës së zbuluar nuk përbënin rrezik. Vetëm gjetja e dioksinës qe mëse e mjaftueshme që me marrjen e njoftimit, organet shtetërore duhet ta quanin këtë si ngjarje të jashtëzakonshme dhe menjëherë të ndërmerrnin masa investiguese për të zbuluar origjinën e këtij helmi shume të rrezikshëm që nuk është pjesë përbërëse e municioneve që shpërthyen. Dioksina është një element shumë i rrezikshëm dhe i qëndrueshëm që nga toksiciteti vjen pas uranit të pasuruar (U235), që shërben si lëndë energjitike për centralet apo bombat atomike. Ajo ka veti mutagjene, teratogjene dhe kancerogjene; dëmton rëndë të gjitha sistemet dhe organet e organizmit. Nga toksiciteti dioksina ia kalon edhe lëndëve helmuese luftarake.
Por për analizat e kryera në Austri, Zvicër, Itali, Maqedoni dhe Shqipëri nuk reagoi njeri. Helmet që u gjetën në tokë dhe ujin e Gërdecit, në kushtet e verës së thatë të këtij viti u përhapen lirshëm në formën e pluhurit toksik me anën e ajrit, duke vënë nën goditje për 6 muaj rresht banorët e Gërdecit, forcat xheniere dhe forcat e emergjencës civile që japin ndihmën atje. Në të kundërt, filluan deklaratat dhe kundërdeklaratat e personaliteteve zyrtare, sipas të cilave njëherë paraqiste rrezik, pas disa ditësh nuk kishte rrezik për t’u ripopulluar. Bile, bashkisë së Vorës iu dhurua edhe një kazermë e ish-brigadës së tankeve me territorin përkatës për të ndërtuar në vend të saj një shkollë për fëmijët e fshatit. Pra, fëmijët të mësonin mbi një minë me sahat”. Këto deklarata dhe kundërdeklarata mbi rrezikshmërinë e Gërdecit u pasqyruan në shtyp me germa kursive, se “X”-i apo “Y”-i-kundër “X”-it dhe “Y”-it (pra kundër vetes së tyre).
Nga sa thamë më lart, sidomos nga analizat e ndryshme të kryera në vende të ndryshme, del se Gërdeci është një zonë e ndotur rëndë me elemente toksike, të qëndrueshme dhe për rehabilitimin e plotë të saj duhen vite. Veç asaj, prania e municioneve të pashpërthyera të grumbulluara përbën një rrezik real për banorët. Pa largimin e tyre, as që duhet të diskutohet popullimi i Gërdecit dhe bashkëjetesa e banorëve me municionet.
Por ç’janë këto elemente toksike që u gjetën në Gërdec dhe ç’përfaqësojnë ato? Ata (vanadium, krom, manganez, hekur, kobalt, nikel bakër, zink, arsenik, stroncium, barium, lantan, plumb, iridium, kadmium, zhivë etj), përbëjnë një grup të veçantë të metaleve të rënda, metaleve të tjera, apo metaloideve që qëndrojnë në mjedis dhe në organizëm pa u shkatërruar për një kohë të gjatë. Ata kanë të ashtuquajturën “veti akumulative” (grumbulluese) që vijnë duke u shtuar në organizëm kur futen edhe në sasi të vogla dhe grumbullohen në të. Ky grumbullim gradual në fillim mund të shkaktojë shqetësime “ të lehta, të papërfillshme”, pastaj shkaktojnë helmime kronike, të cilat nuk kanë simptoma të qarta të helmit të grumbulluar, dhe më vonë mund të shkaktojnë helmim akut. Përjashto rastet aksidentale, ata kanë prirje për helmime kronike. Prandaj quhen si helme “të pabesë”. Nga përfaqësuesit e këtij grupi kanë gjetur vdekjen perandorë e diktatorë, papë e kurtizane, personalitete politike apo publike. Motoja e tyre është: “pa zhurmë, pa bujë, pa krisma, pa gjak, pa shenja të qarta të helmimit etj”. Pra: “vdiq papritur e pa kuptuar, “ pa qenë ndonjëherë sëmurë” etj. Ky lloj helmimi paraqet vështirësi në vënien e diagnozës (në helmimet kronike me shenja atipike), pra vështirësi edhe për mjekimin.
Midis rasteve të shumta, mund të përmendim tre helmime kronike, rrjedhojë e veprimit akumulues të helmit. Në vitin 1821 vdiq Napoleon Bonaparti me arsenik. Helmi i qe hedhur në mënyrë të qëllimshme me anën e verës pak e nga pak. Në vitin 1840 vdiq violinisti virtuoz Nicola Paganini me zhivë. Ai u mjekua për një kohë të gjatë me kalomel kundër kostipacionit (preparat që përmban zhivë). Në mars të vitit 1953 vdiq Stalini, të cilin e helmuan me varfarinë (raticid- helm kundër brejtësve), të cilit iu dha në doza të vogla për një kohë relativisht të gjatë. Në të tria rastet diagnoza u vu vetëm pas vdekjes së tyre.
Dëmtimet e pakthyeshme që shkaktojnë te organizmi 14 elementet toksike
Banorët e Gërdecit, të rrezikuar nga të gjitha anët
Gërdeci përbën një rast unik dhe jo vetëm tek ne. Ndotja nuk është bërë vetëm nga një element toksik, por nga 14 të tillë që kane vepruar në sinergjizëm me njëri-tjetrin, mund të shkaktojnë helmime të gërshetuara nga shumë helme, shenjat e helmimit nuk janë specifike vetëm për një helm. Prandaj, vendosja e diagnozës paraqet vështirësi, ashtu sikurse edhe mjekimi është i vështirë. Deri më sot nuk ka një antidot (kundrahelm) universal për të gjitha helmimet. Po ashtu akoma nuk ka nga një antidotë për secilin grup helmesh. Prandaj edhe mjekimi antidot (specifik) për ta duhet të zëvendësohet me mjekimin kompleks, të përgjithshëm, simptomatik.
Elementet toksike që u gjetën në Gërdec futen në organizëm si nga goja me anën e ushqimit, ashtu edhe nëpërmjet organeve të frymëmarrjes duke u futur në to me ajrin e ndotur me pluhurin toksik. Meqenëse ata kanë veti korozive (gërryese), shkaktojnë si dëmtime lokale sipas rrugës që futen në organizëm, ashtu edhe dëmtime të përgjithshme. Në mënyrë të përmbledhur, për të gjithë elementët toksikë të zbuluar në Gërdec, mund të shfaqen këto shenja të helmimit. Kur futen me anën e ajrit: rinit, nazofaringit, konjuktivit, gjakderdhje nga hundët, bronkiolit, bronkit, pneumoni, emfyzeme pulmonare, edeme pulmonare, bile edhe me përfundim letal. Kur futen nga goja: shije metalike, stomatit, dëmtim i dhëmbëve, shkumë apo jarge nga goja, të vjella, gastrit, enterokolit, ulcera, diare profuze, në mjaft raste me përzierje gjaku. Shenja të veprimit të përgjithshëm: dëmtim i sistemit nervor qendror apo periferik (marrje mendsh, dhimbje koke, gjendje gjumi, depresion, dobësi, humor i ulur apo nevrikosje e pamotivuar, anoreksi, ulje e reflekseve, gjendje maniakale, paraliza apo parastezi, neuropati, delirium, demence, psikoza, koma ose konvulsione etj).
Çrregullime të tjera të përgjithshme: dëmtim i sistemit kardiovaskular e hemopoetik, dëmtim i mëlçisë e veshkave, çrregullim i sistemit të riprodhimit, aborte, çrregullime të metabolizmit të kalciumit (osteomalaci, osteoporoza, fraktura), kancer i prostatës, humbje dëgjimi, rënie e flokëve, eritema dhe kruarje, emboli, dhimbje të përgjithshme të trupit etj.
Sugjerimi
Kontrolle mjekësore për banorët dhe rehabilitim të zonës
Dioksina ka veti mutagjene, teratogjene, kancerogjene, dëmton rëndë mëlçinë e zezë dhe veshkat, organet e riprodhimit, sistemin nervor, shkakton aborte etj. Si përfundim mendoj se Gërdeci është zonë e dëmtuar dhe si e tillë duhet të trajtohet. Mendoj që në Gërdec të shkojë një ekip shëndetësor që të kontrollojë gjendjen shëndetësore të banorëve, sidomos ish të plagosurve, fëmijëve dhe të moshuarve, si dhe personave të tjerë që janë angazhuar dhe po punojnë për zhdukjen e pasojave të Gërdecit. Po ashtu, mendoj që për Gërdecin të organizohet një sesion shkencor ose simpozium ku të marrin pjesë të gjitha palët e interesuara që kanë një përvojë të pasur për katastrofën e Gërdecit. Në fund, sesioni apo simpoziumi të dalë me rekomandime konkrete mbi bazën e të cilave mund të punojë qeveria për rehabilitimin e plotë të zonës. Duhet të vazhdojnë analizat periodike, nga rezultatet e të cilave do të varet e ardhmja e zonës së ndotur. Si zonë e ndotur nuk duhet të konsiderohet vetëm krateri, por edhe zona jashtë saj. Deri në sqarimin e plotë të situatës duhet të mos fillojë edhe ndërtimi i shkollës në ish-kazermat e ish-brigadës së tankeve.
Thanë për Gërdecin
Lohan: Gërdeci, ende zonë e pasigurt
Lohan
Asnjë familje të mos kthehet në Gërdec dhe asnjë njeri nuk duhet të afrohet në zonën e shpërthimit, pa u dhënë garancia se s’ka asnjë predhë. Deri atëherë nuk do të japim asnjë ndihmë derisa të shpallet zonë e sigurt. Në Gërdec duhet të jepet ndihmë në arsim, shëndetësi, infrastrukturë dhe bujqësi
Oketa
Ende s’kemi hyrë në zonën e shpërthimit, megjithatë kjo zonë është e skanuar. Ne kemi kërkuar lejen nga Prokuroria, për të hyrë ne zonë. Megjithatë zona ku ndodhi shpërthimi është e ndotur nga ana ambientale”.
(Deklarata në 27 Maj 2008)