Gërdeci, pretenca: U shkel çdo rregull për sigurinë

Nga seanca e djeshme për tragjedinë e Gërdecit
Teknologjia bashkëkohore në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, shpërthimi i së cilës, më 15 mars 2008, shkaktoi 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe shumë dëme materiale ishin: levat, pincat dhe sqepari, e madje edhe një fadromë. Kjo fabrikë, sipas pretencës së prokurorisë, u ndërtua vetëm për një qëllim, fitimin e kundërligjshëm, por të maskuar me një fasadë të ligjshme nga shoqëria Albademil. Kështu pretenduan dje para gjykatës katër prokurorët e dosjes Gërdeci. Prokurorët, Altin Dumani, Genci Qano, Petrit Bica e Marjeta Zaimi nisën dje leximin para gjykatës të mbi 500 faqeve material të konkluzioneve përfundimtare të gjykimit të dosjes Gërdeci. Në më tepër se pesë orë, përfaqësuesit e Prokurorisë në këtë proces radhitën para treshes gjykuese akuzat që rëndojnë mbi 29 të pandehurit e akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e 15 marsit 2008 në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Në seancë, prokurorët rrëfyen të gjitha të palarat dhe shkeljet ligjore që ngarkojnë me përgjegjësi penale të pandehurit në proces, mbi të cilët rëndojnë akuzat nga shpërdorimi i detyrës deri te vrasje në rrethana të tjera cilësues e shkatërrim të pronës me eksploziv. Për shkak të volumit të madh të konkluzioneve, katër prokurorët e çështjes mundën të lexonin dje vetëm 136 faqe nga materiali në total. Në këtë mënyrë, përfaqësuesit e akuzës nuk i artikuluan dje kërkesat përfundimtare në lidhje me pafajësinë apo fajësinë e të pandehurve dhe në rastin e këtyre të fundit, me masat e dënimit. Vazhdimi i paraqitjes së përfundimeve para gjykatës do të vijojë në seancën e radhës, e cila është përcaktuar për tu zhvilluar sot në Gjykatën e Tiranës. Në seancën e djeshme, veç disa prej të pandehurve të pranishëm, ndodheshin në sallë edhe disa nga banorët e Gërdecit, familjarë të të cilëve kanë ndërruar jetë nga shpërthimi tragjik. Ndërsa nga të pandehurit VIP të këtij procesi, në sallë ishin vetëm ish-kreu i MEICO-s, i pandehuri Ylli Pinari dhe specialisti i MEICO-s, Sokol Ngjeci.
IDEIMI për fabrikën
Referuar konkluzioneve të organit të akuzës, ideatori i ngritjes së fabrikës së demontimit të municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec ishte i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtor i ndërmarrjes MEICO. Sipas prokurorisë, i pandehuri Pinari ishte personi që ideoi këtë biznes, që kontaktoi tregtarin e armëve Patrik Hennri dhe i prezantoi atij si palë në Shqipëri Mihal Delijorgjin. Në veprimtarinë kriminale, të pandehurit kanë bashkëvepruar ngushtë dhe me të pandehurit e tjerë, thuhej në pretencë. Sipas prokurorëve, të gjitha fitimet e demontimit të municioneve në Gërdec shkonin për shoqërinë Albademil. I pandehuri Mihal Delijorgji me të pandehurin Ylli Pinari kanë inskenuar një proces demontimi. I pandehuri Pinari i thotë Mihal Delijorgjit se Patrik Henri ka shfaqur interes në demontimin e municioneve, pohuan prokurorët. Sipas tyre, i pandehuri Pinari i ka thënë se ndonëse kërkesa kishte pesë muaj, ajo nuk ishte shqyrtuar në qeveri. Në vijim, sipas prokurorëve, Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari vendosin të takojnë Patrik Henrin. Po sipas prokurorëve, në dhjetor të vitit 2006, i pandehuri Pinari kishte hapur një folder me emrin Albademil në kompjuterin e tij. Ndërkohë që gjatë një vizite treditore të amerikanit Henri, në dhjetor të këtij viti, ata janë takuar të tre. I pandehuri Pinari ka qenë në të gjitha takimet e Mihal Delijorgjit me Patrik Henri, lexuan në pretencë prokurorët, duke pohuar se në këto takime u themelua SAC-Albademil. Më parë, përfaqësuesit e akuzës kryeqytetase rrëfyen në kronologji hapat për ndërtimin e fabrikës. Prokurorët pohuan se kontakti i parë i të pandehurit Ylli Pinari me amerikanin Patrik Henri kishte qenë më 27 shkurt të vitit 2006. Po sipas prokurorisë, në harkun kohor 18-21 dhjetor 2006, shtetasi amerikan Patrik Henri vjen në Tiranë. Pasi ka marrë kontakt me Delijorgjin, ata ngritën shoqërinë Albademil. Gjatë leximit të pretencës, prokurorët përmendën edhe një letër të dërguar nga Patrik Henri për ish-ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ku kërkohej që demontimi të bëhej nga Albademil. Në lidhje me vendim ku do të ngrihej fabrika e demontimit, prokurorët thanë dje se Vendi ishte paracaktuar nga të pandehurit Mihal Delijorgji dhe Ylli Pinari. Prokurori shpjegoi më pas marinizmin dhe praktikat ligjore, se si u ngrit Gerdeci, regjistrimin e Albademil në Gjykatë e Qendrën Kombëtare të Regjistrimit dhe hapat ligjorë që u morën për ti hapur rrugë biznesit të demontimit të municioneve të tepërta. Në lidhje me kompaninë amerikane SAC, prokurorët thanë se para caktimit të saj si firmë kontraktuese në Gërdec nuk ishte bërë asnjë verifikim. Për SAC nuk është kryer asnjë verifikim për kapacitetin teknik të saj, thanë përfaqësuesit e Prokurorisë.
FABRIKA
Në lidhje me nisjen e punës në fabrikë, prokurorët u shprehën dje se më 24 prill të vitit 2007, i pandehuri Ylli Pinari, në funksionin e ish-kreut të MEICO-s i kishte kërkuar të pandehurit Luan Hoxha, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm, një sasi fishekësh për demontim. Sipas prokurorisë, kjo sasi do të përdorej për eksperimentim në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec. Në lidhje me koordinimin e punës në fabrikë, prokurorët pohuan se kjo ishte çështje me të cilën ishte marrë i pandehuri Dritan Minxolli. Dritan Mixolli kishte në zotërim gjithçka në fabrikë, përfshi rregullat e sigurisë, thanë prokurorët. Në lidhje me administratorin shqiptar të SAC-Albademi, biznesmenin Mihal Delijorgji, përfaqësuesit e akuzës pohuan se ai shkonte shumë shpesh në fabrikë. Mihal Delijorgji shkonte thuajse çdo ditë në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec, ku informohej mbi ecurinë e procesit, thuhej në pretencë. Për të punësuarit në fabrikë nga gjykimi kishte rezultuar se ata ishin thuajse të gjithë banorë të fshatit Gërdec dhe të zonave përreth. Gjatë leximit të pretencës, prokurorët thanë dje se më shumë se 17 prej tyre, të cilëve iu cituan edhe emrat, punonin në procesin e demontimit në një kohë që ishin në moshë të mitur. Lidhur me masat anti-zjarr, në ambientet e fabrikës kishte disa bombola të vogla anti-zjarr dhe kova uji, por asnjëherë punëtorët nuk ishin instruktuar për përdorimin e tyre, thuhej në pretencë. Për sa i përket normës së punës, sipas organit të akuzës, ajo nuk ishte fikse, por përcaktohej në varësi situatave të ndryshme nga ana e drejtorit të fabrikës, të pandehurit Dritan Minxolli. Sipas prokurorisë, edhe dërgimi i municioneve nga depot ushtarake të ushtrisë drejt fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, kanë shkuar pa grafik. Municionet në Gërdec kanë shkuar pa grafik, por vetëm nëpërmjet porosive, u shprehën prokurorët gjatë leximi të konkluzioneve përfundimtare të tyre. Ndërsa transporti brenda fabrikës i municioneve bëhej nëpërmjet një fadrome, ose nëpërmjet karrocave metalike. Sipas prokurorisë, kur këto karroca metalike dëmtoheshin, ato saldoheshin nga shtetasi Qemal Deliu, banesa e të cilit ndodhej afër fabrikës së demontimit.
DITA E NGJARJES
Ditën e ngjarjes në fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec janë salduar tri karroca. Njëra prej tyre është kthyer në fabrikë pa marrë më parë masat për tu ftohur. Pak më parë në fabrikë ishte dhënë urdhri që të futej brenda në kapanone një sasia e barutit e përftuar nga demontimi i municioneve, pasi dukej sikur do të niste shiu. Kjo punë duhet të bëhej para pushimit të drekës. Punëtorët janë ngutur ta mbaronin këtë punë para pushimit. Përdorimi i karrocës së nxehtë ka bërë që njëri nga thasët me barut, i ngarkuar mbi të, të marrë flakë. Njëri prej punëtorëve ka tentuar ta fikë fl