E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, ulja e dënimit në Apel shpëton Delijorgjin nga burgu

Të tjera rreth shkrimit Durda: Gjyqtarë plehra, goditën mbi kufoma VIDEO Një javë më parë familjarët kërkuan drejtësi Gerdeci ne fokusin e Shqiptarja.com TIRANE - Gjykata e Apelit vendosi sot të reduktojë dënimin për tre prej të akuzuarve kryesorë të tragjedisë së Gërdecit: Ylli Pinari nga 18 vjet dënohet me 15 vjet burg, ndërsa Dritan Minxhollit dhe Mihal Delijorgjit i reduktohet dënimi me 1/3. Kështu Dritan Minxholli dënohet me 12 vjet burg ndërsa Mihal Delijorgji dënohet me 6 vjet e gjysmë. Ky i fundit i shpëton kështu burgut falë uljes së dënimit. Burime nga Prokuroria bënë të ditur për Shqiptarja.com se “me paraburgimin ai i ka mbyllur llogarinë me drejtësinë”. Delijorgji ka bërë 1035 ditë paraburgim që të konvertuara janë 1552 ditë burg, pra ka vuajtur një dënim edhe më të madh nga ai i dhënë sot pak pas orës 15.00 nga treshja gjykuese Alaudin Malaj, Gent Shala dhe Shkëlqim Miri.

Gjithashtu, sipas përllogaritjeve, rezulton gjithashtu se Ylli Pinarit i mbetet të kryejë vetëm 2.7 vite burg, falë konvertimit të ditëve të paraburgimit.

Ndërsa për Sokol Ngjeçin, një tjetër prej të dënuarve kryesorë, u la në fuqi dënimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë, me 10 vjet burg.

Gjykata e Apelit reduktoi me një vit dënimin e Luan Hoxhës, nga 6 në 5 vjet, ndërsa shpalli të pafajshëm Shpëtim Spahiun që ishte dënuar me 4 vjet burg në shkallë të parë. Ndërsa Agim Babameto dhe Rezart Tërshana, që ishin shpallur të pafajshëm, u dënuan me 1 vit burg. Besnik Dauti nga i pafajshëm u dënua në Apel me 3 vjet burg.

Gjykata e Apelit vendosi gjithashtu sekuestrimin e pasurisë së Mihal Delijorgjit ndërsa la në fuqi dënimet e shkallës së parë për pjesën tjetër të të dënuarve.

FAMILJARET E VIKTIMAVE: GJYKATA GODITI MBI KUFOMA
Pak pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Apelit kanë reaguar disa prej familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit duke e cilësuar të turpshëm vendimin e trupës gjykuese. Zamira Durda, e cila në tragjedinë e Gërdecit humbi djalin e saj të vogël, u shfaq në ekranin e A1Report shumë e tensionuar. “Ishte një vendim vërtetë turpi”, tha ajo. “Nga arresti i shtëpisë dalin të lirë tani se u bënë 5 vjet dhe këto llogariten. Ishte shumë turp për gjykatën, për vetë këtë turp gjykues që u tregua kaq i padrejtë me këta viktima që mori guximin përsëri dhe godet mbi kufoma. Ky trup gjykues godet mbi kufoma, ata të vdekur janë, të mbaruar”, tha Zamira Durda në A1Report, pa fshehur revoltimin e saj. I ashpër ishte edhe gjykimi i Durdës mbi trupin gjykues: “Janë njerëz plehra, nuk ja vlen as t’i zësh me gojë, aq të dekompozuar janë sa të bëjnë pis edhe duart”.

APELIMI I PROKURORISE
Vendimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë u apelua nga prokuroria, e cila kërkon që të deklarohen fajtorë 28 persona për tragjedinë e 15 marsit të 2008-ës në Gërdec, mes të cilëve edhe shoqëria “Albademil” dhe vetëm për Lavdi Shatron të tërhiqen aktet e gjykimit.

Ndërkohë, të gjithë avokatët e të pandehurve, gjatë shqyrtimit gjyqësor, kanë këmbëngulur për pafajësi si dhe kanë kërkuar rrëzimin e vendimit të Shkallës së Parë, ku pjesa dërrmuese e tyre janë dënuar. Apeli duhej të kishte dalë me një vendim më 4 shkurt, por kreu i trupës gjykuese kërkoi kohë, duke u shprehur se nuk ishte gati, pasi dosja ishte shumë voluminoze.

Në vendimin e gjykatës së Tiranës për procesin ‘Gërdeci’, 10 prej 29 të akuzuarve u shpallen të pafajshëm; për një prej tyre do të rishqyrtohet çështja, ndërsa për 18 të akuzuarit e tjerë u dhanë në total 97 vjet burg.

Sipas vendimit të gjykatës, Dritan Minxholli, ish-përgjegjësi i fabrikës së demontimit të armëve, u dënua me 18 vjet burg; ish-drejtori i MEICO, Ylli Pinari, po me 18 vjet burg ndërsa administratori i fabrikës “Alba-Demil”, Mihal Delijorgji, u dënua me 10 vjet burg, ndërkohë që prokuroria kishte kërkuar burgim të përjetshëm nën akuzën e vrasjes; por, Gjykata i dënoi ata për "shpërdorim detyre" dhe "shkatërrim të pronës".
Gjykata e Tiranës dënoi me 10 vite burg Sokol Ngjecin dhe me 6 vjet, ish-Shefin e Shtabit të Ushtrisë, Luan Hoxha.

DENIMET E GJYKAYES SE TIRANES
Ylli Pinari – 18 vjet burg
Sokol Ngjeçi – 10 vjet burg
Dritan Minxholli – 18 vjet burg
Mihal Delijorgji – 10 vjet burg
Ardian Mullahi – I pafajshëm
Shkëlzen Madani, 3 vjet 300 mijë lekë gjobë
Dashnor Çaushi – 3 vjet burg
Armand Tartari – 1 vit burg 300 mijë lekë gjobë
Luan Hoxha – 6 vjet burg
Agim Lala – I pafajshëm
Hilmi Laçaj – 3 vjet
Ndue Marku – 1 vit burg 300 mijë lekë gjobë
Shpëtim Spahiu – 4 vjet burg
Zija Bahja – I pafajshëm
Agim Babameto – I pafajshëm
Rezart Tërshana – I pafajshëm
Besnik Dauti – I pafajshëm
Fatbardh Kuçi – 1 vit burg 300 mijë lekë gjobë
Gëzim Oshafi – 3 vjet burg
Jorgo Mino – 3 vjet burg
Denis Hajdari – 1 vit burg 300 mijë lekë gjobë
Fari Toska – 3 vjet burg
Zenun Fero – 3 vjet burg
Hysni Çoçka – 3 vjet burg
Adriatik Mema – I pafajshëm
Juliana Margariti – E pafajshme
Lavdi Shatro – Kalimin e akteve në Prokurori
Fiqiret Mato – I pafajshëm
ALBADEMIL shpk – 25 milionë lekë gjobë

Afro 5 vite nga 15 mars 2008, i shpërthimit në fabrikën e demontimit të municioneve ende kjo dosje mbetet e hapur për drejtësinë shqiptare. Gjykata e Shkallës së Parë gjatë dhënies së vendimit i klasifikoi pasojat e ngjarjes si vdekje për shkak të shklejes së rregullave të sigurisë në në punë dhe jo si vrasje, siç e kërkoi prokuroria dhe këtë e kërkojnë dhe familjarët. Një javë më parë ( një ditë nga data kur gjyqtarët kishin deklaruar se do të shpallin vendimin, por më pas kërkuan kohë) familjarët nëpërmjet një letre të hapur i kërkuan gjykatës të vinte drejtësi duke klasifikuar akuzën e vrasjes.

"Kemi 5 vjet që gjendemi përpara faktit gati të kryer. Ndërkohë jetë të tjera kanë humbur për shkak të dhimbjes së krijuar. Ju kujtojmë tragjedinë e familjes Osmani, ku së fundmi vrau veten dhe Tushja e cila la pas një mbesë vetëm 5 vjeç. Aq sa vitet që ne presim për drejtësi.

Ju kujtojmë se jo vetëm kronika e vdekjeve në Gërdec ka qënë e paralajmëruar, por dhe lehtësia e dënimeve të fajtorëve duket se është e paralajmëruar. Jetët tona ishin të pavlera nëse shihen kushtet e sigurimit të shëndetit e të jetës që nuk respektoheshin, por dhe drejtësia për humbjen e tyre nuk duket se ka patur fat më të mirë.

Nëse këto ngjarje do të kishin ndodhur në SHBA, ku dhe u dënua Efraim Diveroli thjesht për mos respektim të rregullave të detyrueshme të një shteti tjetër, dënimi do të ishte maksimal. Sistemi atje njeh mundësinë e vlerësimit të dhimbjes nga një trup gjykues popullor. Këtu ky sistem nuk ekziston, por është e qartë nga ana tjetër se opinioni publik është në anën tonë në këtë luftë me të drejtën. Për një gjykatë popullore dënimi do të ishte maksimal. Gjykata e Apelit duhet ta marrë në konsideratë ndjeshmërinë sociale lidhur me këtë tragjedi, që përbën dhe një nga funksionet e drejtësivënies e të respektimit të ligjit. "- shkruanin në letrën e tyre familjarët e viktimave.

Redaksiaonline
(s.g/shqiptarjaonline.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›