Gërmimet, si e kërkuan komunistët arin e Gjon Muzakës

Ylli Polovina
Botohet libri mbi testamentin e princit të Beratit.
Polovina: Gjon Muzaka, i vetmi që kritikoi Skënderbeun.
Testamenti: Skënderbeu ndau nga gruaja Muzak Topinë për ta martuar me të motrën, Mamicën.
Unë Don Gjon Muzaka, Despot i Epirit, pasi u përzura prej Turkut nga shtëpia ime dhe u zhvesha prej zotërimit tim, erdha në Mbretërinë e Napolit…. Kështu e nis testamentin e tij në vitin 1510 princi Gjon Muzaka, drejtuar tre djemve të tij. Ndoshta sot nuk do të flitej shumë për të, nëse do të ishte një testament i thjeshtë, i një ati drejtuar të bijve, ku bashkë me tregimin për andrallat e jetës tu ndante edhe pasurinë. Testamenti i Gjon Muzakës prej 500 vjetësh vazhdon të bëjë bujë, sepse kryezoti i Beratit nuk trembej të vinte gishtin mbi emrin, që shumë trembeshin ta zinin ngojesh Skënderbeun. Mbështetur mbi këtë testament, por edhe materiale të tjera dokumentare, shkrimtari dhe studiuesi Ylli Polovina sapo i ka dhënë lexuesit një libër të ri Gjon Muzaka i Beratit përballë Skënderbeut. Është jo vetëm një libër që flet për një nga princërit më të fuqishëm të Arbrit, por edhe një këndvështrim tjetër i figurës së Gjergj Kastriot Skënderbeut, fatin e pasardhësve të Heroit Kombëtar, miti i të cilit sipas Polovinës nisi të ngrihet që me Marin Barletin. Ndoshta kjo është edhe arsyeja pse ky testament është shfrytëzuar pak prej historianëve shqiptarë për një kohë shumë të gjatë. Polovina bën një analizë të hollë të testamentkronikës, duke shërbyer jo thjesht si një informacion i dobishëm mbi atë çka ndodhte në shek. XV, cila ishte gjendja, si luftohej kundër Perandorisë Osmane, cilët ishin princërit e fuqishëm të kohës, por dhe makinacionet që bënin me njëri-tjetrin, marrëveshjet, krushqitë, prishjet e martesave… Gjon Muzaka është i pari në histori që Skënderbeun e ka vështruar si njeri dhe jo si mit, ndërsa koha qe e përflakur nga dëshira dhe nevoja politike për të kryer këtë të fundit… Kritika për Gjergj Kastriotin në këto momente as që mund të mendoheshin. Atmosfera e përgjithshme lypte përjashtimin nga vëmendja e opinionit publik e të gjithë atyre që nuk e paraqisnin Skënderbeun, veçanërisht para europianëve të krishterë, si qenie të përkryer, shkruan Ylli Polovina në librin e tij. Një nga këto raste, kur Muzaka kritikon Skënderbeun, është ai i prishjes së martesës mes Muzak Topisë dhe Zanfinës: Skënderbeu e ndërpreu këtë martesë të bërë midis Muzak Topisë e Zanfina Muzakës pa pasur frikë as Zotin e as njeriun, bile pa iu trembur as të ardhmes së djemve, që ata kishin pasur, duke i bërë Muzak Topisë një martesë të dytë me të motrën, Mamicën, shkruan Gjon Muzaka. Por testamenti i Gjon Muzakës është bërë i famshëm edhe për një arsye krejt tjetër. Gjatë viteve të diktaturës, ai u kthye në një dritë shprese për të shpëtuar nga kriza ekonomike që kishte pllakosur në vitet 80. Për vite me radhë, gjeologët u vunë në kërkim të thesarit të Gjon Muzakës apo, më saktë, të një miniere ari, që me gjasë ndodhej në zonën e Skraparit. Enver Hoxha ishte ende gjallë, megjithatë me këtë çështje mësohet të jetë marrë Ramiz Alia, të cilin, për hir të postit të mëvonshëm, Polovina e quan Presidenti. Një rrëfim aventuror në kërkim të arit, që tregon dhe dëshpërimin e sistemit në rrënim…
Miniera gojëdhënë, shpresa e komunistëve për të dalë nga kriza në 83-87
Kërkimi 4-vjeçar i arit të Muzakës me urdhër të KQ
Ramiz Alia urdhëroi për gërmimet në zonën e Tomoricës
Pjese nga libri

Kopertina e librit
Një ditë të premte, 1 dhjetor 1983, në Komitetin e Rinisë së Skraparit, në Çorovodë, ra zilja e telefonit. Aparatet qenë paralele, një në zyrën e sekretarit të Parë dhe tjetri në atë të instruktorëve. Të dyja palët e dëgjuan, por shefi nuk e ngriti dorezën. Po punonte një raport të ngutshëm për eprorët e tij në Tiranë. Atëherë veprimin e kreu njëri nga punonjësit e dhomës ngjitur. Një minutë më pas, ky trokiti në derën tjetër dhe i tha sekretarit të Parë se dikush nga Tirana kërkonte të fliste vetëm me të. Zëri që u dëgjua në receptor, ishte mjaft i njohur. Qe bashkëkrahinas. Punonte në Komitetin Qendror të Partisë. Pyeti nëse Komiteti i Rinisë e kishte makinën në gjendje të mirë për të lëvizur në terren malor dhe shtoi se të nesërmen do vinte aty me dy shokë mjaft të rëndësishëm. Sapo të mbërrinin, që të katër do të udhëtonin drejt fshatit ku ai kishte dajallarët e tij. Aty do të darkonin dhe do të kalonin natën. Tre nëpunësit e lartë të partisë së vetme në pushtet e ndalën makinën e tyre para godinës së Komitetit të Rinisë së Skraparit saktësisht më 2 dhjetor, në orën 16:00, siç edhe patën paralajmëruar në telefon. Bashkëkrahinasi paraqiti dy kolegët e tij. Njëri qe këshilltar për ekonominë pranë Presidentit të Republikës dhe tjetri diplomat, me detyrë ambasador i Shqipërisë në Itali.
Pasi në klubin më të afërt pinë nga një kafe të shoqëruar, siç është zakon i vendit, me një gotë raki, nisën rrugën. Duke qenë malore dhe prej një shiu të rënë dy ditë më parë edhe më të vështirësuar, ajo zgjati përtej parashikimit. Sidoqoftë, në 7:00 të mbrëmjes qenë ulur në dhomën e zjarrit të shtëpisë së njërit prej dajallarëve dhe të bashkëkrahinasit. Gostia me shumë dolli shkoi gëzueshëm dhe, ndërsa më në fund duhej të flinin, i zoti i shtëpisë i tha këshilltarit ekonomik të Presidentit se do të ishte në një dhomë me ambasadorin, kurse në tjetrën nipi i tij me sekretarin e Parë të Rinisë. Mirëpo, njeriu i kryetarit të shtetit ndërhyri: në dhomën e sekretarit do të fle unë.
Kështu u bë. Kur pas pak iu afruan shtretërve të tyre, këshilltari i Presidentit sërish vendosi: Ti ke atë krevat tek dritarja, sepse je i ri dhe e përballon më mirë ndonjë korrent ajri. Kur më në fund u shtrinë, njeriu i kryetarit të shtetit vuri bërrylin mbi jastëk dhe mbështeti kokën në pëllëmbë të dorës. E pyeti sekretarin e Parë të Rinisë nëse bashkëkrahinari në Komitetin Qendror të partisë ia kishte thënë problemin për të cilin patën ardhur deri aty. Ky përgjigjet Sinqerisht jo, ia tha duke u zbehur. Mendoja se vinit këtu për të pushuar një natë dhe të nesërmen për të gjuajtur thëllëza dhe lepuj, shtoi me zë të tronditur. Për gjah mund të dalim, por ne kemi një problem tjetër. Zëri i këshilltarit u bë misterioz. Presidenti na ka ngarkuar me një mision shumë të rëndësishëm për ekonominë minerale,
por është po aq konspirativ. Tanimë shefi i Rinisë së Skraparit ngriu. Vendaliu yt na ka dhënë garanci se këtë mision të vështirë mund ta kryesh vetëm ti. Pas një pauze fare të shkurtër, funksionari i lartë nga Tirana vijoi: Detyra që do të kryesh, është ngarkuar nga vetë Presidenti dhe terren veprimi ka zonën e Tomorricës. Tashmë emocionet po e bënin sekretarin e Parë të Rinisë të ndiente të dridhura. Problemi o miku ynë, shqiptoi bashkëpunëtori i afërt i kryetarit të shtetit, ka një histori shekullore që lidhet me kërkimin e zbulimin e arit në zonën e Tomorricës. Një ekspeditë gjeolog