E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjashtë arsye pse kopjimet në provime ishin të pamundura

 

Duke marrë shkas nga letra “Rastet e notave të pamerituara, demoralizojnë fëmijët tanë”, në rubrikën e lexuesve, e pashë si detyrim të kthej këtë përgjigje. Zonja që shkruan, ngre një akuzë të rëndë duke pretenduar fenomenin e kopjimit në provimet e maturës duke e mbështetur këtë në argumentin e vetëm, se nxënësit me rezultate të ulëta në mësime, kanë arritur rezultate të larta. Do të rendis disa argumente dhe fakte, që më çojnë në përfundimin se pretendimet bazohen në premisa e pohime të rreme.

E para, pas analizës që bëhet në fund të provimit nga KOPOTED (Komisioni i Posaçëm për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Testeve të Dyshuara i ngritur nga MASH), rezulton se në rrethin e Kukësit nuk ka patur asnjë rast kopjimi, si për provimin e Letërsisë, ashtu edhe të Matematikës.

E dyta, nga një analizë paraprake rezulton se nuk ka patur nxënës me luhatje prej 3 notash në lëndën e Matematikës apo të Letërsisë, luhatjet me 2 nota kanë qenë për një numër të vogël nxënësish dhe këta përgjithësisht kanë qenë nxënës që kanë patur premisa të tilla. Ndërsa luhatjet me 1 notë janë të pranueshme, pasi ka nxënës që përgatiten dhe marrin rezultat më të lartë dhe nxënës që marrin rezultat më të ulët, për arsye që duhen analizuar, sipas rastit.(Vetëm 3 nxënës kanë kontestuar notën pranë DAR).

E treta, nxënësit “e mirë” nuk dalin me rezultate të dobëta për faktin se nxënësit “e dobët” dalin me rezultate të mira, ky argument tregon nivel të ulët në arsyetim.

E katërta, nëse nxënësi i “dobët” kopjon nga i “miri”, atëherë ai duhet të marrë të shumtën të njëjtin rezultat. Shtrohet pyetja, nga kopjoi ky i “dobëti” që ia kaloi të “mirit”, pasi administratorët e provimit nuk i përkasin profilit të lëndës së provimit dhe tezat hapen në sy të nxënësve pak minuta para provimit.

E pesta, edhe pse distanca e nxënësit nga nxënësi ka qenë mbi 1.5 m, rastet e kopjimit është e vështirë të ndalohen në mënyrë absolute, por është e pamundur që duke shkëmbyer kopje, nxënësi të arrijë një rritje të notës siç pretendohet nga shkruesit, pasi duhet të shkëmbejnë një numër të madh pyetjesh, gjë që është e pamundur dhe verifikohet lehtësisht nga KOPOTED.

E gjashta, administratorët e provimit janë nga rrethet e tjera, kështu që tolerimi i iniciuar nga Drejtoria Arsimore është shumë i vështirë pasi do të dekonspirohej shpejt. (Mbi 30 nxënës janë larguar nga provimi për shkelje të Rregullores, duke ruajtur një rregull të fortë në mjediset e provimit).

Është i treti vit i Maturës Shtetërore që Drejtoria Arsimore është përballur me trysninë për të lejuar tolerimin në provime, përgjigja ka qenë që çdo nxënës duhet të mbështetet në forcat e tij. Arsyetimet dashakeqe për rezultatet e maturës kanë tiparin e përbashkët se, kurrë nuk i referohen ndonjë shembulli konkret.

Së fundi, dua të theksoj faktin se Matura Shtetërore eliminoi padrejtësitë dhe korrupsionin, nga të cilat sistemi ynë arsimor ka vuajtur vazhdimisht, askush nuk mund të përfitojë më padrejtësisht, qoftë ky edhe deputet apo ministër, mesa duket kjo ka shkaktuar shumë pakënaqësia, burim i një sulmi me shpifje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›