Gjashtë vjet nga ndryshimi i mandatit të FSK-në në ushtri

PRISHTINË, 14 dhjetor /ATSH/ Më 14 dhjetor 2018 Parlamenti i Kosovës me 106 vota pro dhe një abstenim, miratoi tre ligjet që e ndryshuan mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri të Kosovës, por pa iu ndërruar emri.
Ligjet e miratuara ishin Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Projektligji për shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Deputetët serbë në Parlamentin e Kosovës nuk morën pjesë në seancë, pasi ata ishin kundër formimit të Ushtrisë së Kosovës.
Më 4 mars 2014, Qeveria e Kosovës mori vendimin që të formohen Forcat e Armatosura të Kosovës, si ushtri e Kosovës, e cila parashihet t’i mbërrijë kapacitetet që të mund të sigurojë integritetin e Kosovës, transmeton KosovaPress.
Kjo erdhi pesë vjet pasi më 20 janar 2009, TMK-ja, e cila u themelua në kohën e fillimit të organizmit institucional të vendit, zyrtarisht u shpërbë në FSK.
Forca e Sigurisë së Kosovës, fillimisht kishte përgjegjësi që të përballej me katastrofat e rënda natyrore sikurse janë tërmetet, vërshimet ose zjarret. /KosovaPress/