Gjatë mbledhjes të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha komentoi situatën energjetike në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në masat që po merren për përballimin e saj.
Gjatë mbledhjes të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha komentoi situatën energjetike në vend, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në masat që po merren për përballimin e saj.
Duke analizuar këtë situatë, Kryeministri theksoi:
"Sot kemi një sërë aktesh dhe vendimesh, ndër të cilat veçanërisht i rëndësishëm është vendimi në zbatim të ligjit të prokurimeve publike, vendim mbi të cilin do të bazohen prokurimet publike. Ky ligj i heq Këshillit të Ministrave autoritetin e prokurimeve në negociata dhe bën një decentralizim duke ua transferuar enteve dhe dikastereve këtë veprimtari. Ligji i prokurimeve publike ka hyrë dje në fuqi, ndërsa vendimi hyn në fuqi nesër. Duhet të jemi transparentë, ky është shkaku ligjor që sot nuk miratojmë dyfishimin e importit të energjisë. Kjo do të bëhet nesër me hyrjen në fuqi të vendimit.
Enti kontraktues, mbi bazën ligjore të plotësuar, do të dyfishojë kontraktimin e energjisë elektrike për shkak të kushteve atmosferike, thatësirës së tejzgjatur jashtë çdo parashikimi, thatësirë të cilën observatori britanik e cilëson të pamemorizuar ndonjëherë në histori dhe ne jemi një vend tërësisht i varur nga uji në prodhimin e energjisë. Faktikisht kuotat e importit të parashikuara në muajin nëntor për muajin janar, siç e dini, në fillim të nëntorit u shpall tenderi për prokurimin vjetor të energjisë elektrike, ky parashikim bëhet i pamjaftueshëm për shkak të thatësirës së stërzgjatur, e cila, sipas meteorologëve, është jo vetëm e pashembullt, e theksoj sipas observatorit britanik e pashembullt në histori, sipas vëzhguesve të tjerëve në shekullin e fundit, madje sipas disa të tjerëve në 1200 vitet të fundit, për këtë ka të dhëna të ndryshme nga këndvështrime të ndryshme dhe që mesa duket do të jetë një konstante. Në qoftë se ky ishte viti më i thatë i regjistruar, ka mendime se viti që vjen do t'ia tejkaloi këtij viti.
Prandaj, me çdo kusht, duhet të dyfishojmë importin e energjisë elektrike të paktën për periudhën janar-mars dhe kjo do të bëhet, sigurisht, me një prokurim emergjent. Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës duhet gjithashtu të marrë masat që me tender të hapur të dyfishojë prokurimin e energjisë për të gjithë vitin. Edhe në rast se do të na duhet të paguajmë penalitete për shkak të ndryshimit të kushteve atmosferike, është me pranueshme t'i paguajmë ato sesa të mos ketë energji për qytetarët.
Duke qenë i vetëdijshëm se çdo qytetar shqiptar e ka të qartë se në kujtesën e tij se nuk ka pasur një vit dhe dimër më të thatë të regjistruar, absolutisht nuk dua të nxjerr jashtë përgjegjësisë direkte entin energjisë elektrike të vendit, KESH-in dhe jo se nuk ka parashikuar thatësirën, sepse të jemi realistë thatësira ka qenë e paparashikueshme, por sepse nuk ka përmbushur misionin e saj të parë: energji elektrike 24 orë për konsumatorin. Kjo është detyra dhe kur këtë e përcaktojmë të parën, të gjitha të tjerat vihen në funksion të saj. Gjithashtu nuk arriti të shkëputet nga praktika e kollagjerëve të errësirës. Ata që dalin sot në media e bëjnë kollagjerin, janë pikërisht ata që konsoliduan praktikën e ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike, e dënimit kolektiv të qytetarëve për të zvogëluar humbjet edhe kur digat ishin plot apo rezervuarët derdheshin masivisht në det, praktikë të cilën ne po çmontojmë. Për ta më mirë të mos prodhohej e të mbytej nën Shkodra në periudha periodike dy-tre herë në vit, sesa t'u llogariteshin humbjet. Ne i dhamë fund kësaj praktike.
Për herë të parë, që nga fillimi i viteve '80 deri më sot, qytetarët shqiptarë kanë marrë për 7 muaj energji pa ndërprerje, me përjashtim të zonave të caktuara me defekte. E vërteta është që këtë vit konsumatorit i është siguruar energji më shumë se në asnjë vit tjetër. Ne ndaluam praktikën e ndërprerjes së energjisë për të pakësuar humbjet, ndaluam në mënyrë kategorike që të ndërpritej qoftë edhe 30 minuta energjia për të ulur humbjet dhe morëm përgjegjësitë që na takojnë. Kjo ishte e drejtë. Por e vërtetë është gjithashtu se, në rast se energji për konsumatorin do të përcaktohej si qëllimi numër një, KESH-i në funksion të saj duhet të programonte të gjithë raportet import-prodhim vendas. Ne nuk kemi prodhim të mjaftueshëm energjie. Në këto kushte, KESH-i është dhe duhet të jetë i detyruar të importojë energji, duke lënë dhe një marzh të qartë që të parandalohen mungesat e saj.
Por a mund të parandalohej tërësisht kjo krizë? Unë u them qytetarëve shqiptarë që në mënyrë absolute nuk mund të parandalohej tërësisht, sepse tre kontraktorë në mënyrën më të papritur anuluan lëvrimin e energjisë së kontraktuar sipas kontratave të firmosura muaj më parë. Një kontratë ishte 100 megavat, e barabartë me kapacitetin e TEC-it që do të ndërtohet në Vlorë. Edhe dy kontratat e tjera kishin një detyrim prej 100 megavat. Kjo ndërprerje u bë për shkak se kompanitë pranuan të paguajnë penalitetet, të cilat janë shumë herë më të ulëta në çdo kontratë të parashikuar, sesa çmimi i energjisë që u dy- trefishua. Por në rast se kjo krizë, në kushtet e moszbatimit të kontratave dhe marrëdhënieve kontraktuale me KESH-in, nuk mund të parandalohej, kjo krizë mund të ishte më e lehtë. Duhet të jemi të sinqertë me publikun. Në rast se depozitat tona ujore do të ruheshin më së shumti për situatë emergjence - jam i vetëdijshëm se ekspertët e energjisë nuk bien dakord, sepse impiantet që prodhojnë mbi 5 miliard kilovatorë energji në vit nuk mund të shpallen si elementë emergjence dhe kjo është e vërtetë sepse ai është prodhim bazë dhe jo i emergjencave, - por është po aq e vërtetë që mençuria dhe programimi i tyre duhet të ishte i tillë që jo pjesa e luanit, por një pjesë e madhe e kësaj rezerve mund dhe duhet t'i kalojë emergjencës. Emergjenca ka dy mundësi. Së pari, është e vërtetë që ka një periudhë dhe kjo është janar-shkurt, kur çmimet e energjisë rrokin nivelet më të larta dhe konsumi i saj rritet së tepërmi, prandaj është e domosdoshme të parashikohet që këto dy muaj të përballohen me të gjithë potencialet. Me këtë nuk them se thatësira nuk përbën një forcë madhore. Është e vërtetë të programosh me shirat e nëntorit, por duhet të jetë gjithnjë edhe opsioni B në thatësirë të shtrirë dhe të gjatë. Kështu që drejtuesit e entit mbajnë përgjegjësitë e tyre të qartë.
Po bëhen përpjekje dhe këto dy ditë do të dyfishohet importi i energjisë për këtë tre mujor. Për tre mujorin në vazhdim duhet të ketë tenderime shtesë. Moti mund të na imponojë të paguajmë penalitete për mosimport në rast se prodhimi ynë i mbulon dhe i tejkalon nevojat, por edhe kjo duhet parë. Nuk duhet të kemi asnjë impresion nga kritikat e pabazuara, pasi kur ne importonim në pranverë kolagjerët e territ frynë borizanët se po importonim kur digat ishin plot. Duhet të mësohemi të importojmë edhe kur digat janë plot, sepse ato duhet të racionohen në funksion të dimrit, të konsumit maksimal, si dhe të parashikohet edhe thatësira. Të parashikosh thatësirën do të thotë që digat dhe rezervën energjetike ta llogarisësh jo me minimumin, por me optimumin e kapaciteteve të tyre. Duhet të dilet nga konceptet autarkike. P.sh në socializëm një muaj rresht u mbyllën të gjitha industrisë.
Nga vitet '80 ndërprerjet kanë qenë të vazhdueshme. Ne duhet të dalim nga kjo situatë. Zotimi ynë ka qenë se brenda vitit 2007 nuk do të ketë më ndërprerje të energjisë elektrike. Ata që nuk e kanë kuptuar qartë këtë zotim, dua t'i siguroj se qeveria dhe unë kemi krijuar mekanizmin, por mekanizmi duhet dhe do të zbatohet me përgjegjësi të madhe. Ne e nxorëm energjinë në treg. Buxheti i shtetit vendosi mbi 150 milion euro në katër vjet vetëm e vetëm për të arritur çmimet e tregut. Sigurisht do të shtojmë burimet energjetike, por kusht vendimtar ishte dhe është që energjia të jetë në treg dhe qeveria e bëri këtë. Tani i takon dhe është në detyrimin absolut të entit dhe ministrisë përkatëse që të tregtojë energjinë me rregullat e tregut dhe ajo të mos mungojë asnjëherë. Duke u shkëputur nga praktikat e mëparshme, është dhënë energji, si sasi totale, më shumë se kurrë në historinë e këtij vendit.
Natyrisht çdo vit nevojat janë më të mëdha. Rritja këtë vit është me rreth 300 milion kilovatorë dhe vitin tjetër rritja do të jetë 300 milion të tjera. Kjo duhet parashikuar dhe të shmangen përfundimisht mungesat e energjisë elektrike, me të cilat Shqipëria duhet të ndahet, përveç rasteve të jashtëzakonshme të mosmbajtjes së sistemit, pasi ai është një proces më i zgjatur. Ky do të jetë viti i ndarjes përfundimtare të Shqipërisë nga errësira. Ministria ka përgjegjësitë e veta në ndjekjen dhe zbatimin e kësaj detyre të qeverisë. Ajo nuk mund të pranojë asnjë lloj pengese nga asnjë segment, nga asnjë institucion në përmbushjen e kësaj detyre.
Problemi i energjisë është një problem shumë më kompleks jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Këtë vit fillon ndërtimi i TEC-it të Vlorës dhe jepen me koncesion për rindërtim TEC-e të tjera. Ligji i koncesioneve dhe vendimi që do të kalojmë, sapo ky ligj të hyjë në veprim këto dy ditë, bën të mundur hapjen e tenderave dhe koncesioneve të dhjetëra hidrocentraleve të vegjël, të cilët janë projektuar dhe nuk janë të paktë investitorët vendas e të huaj që janë të gatshëm të investojmë. Sidoqoftë, në të gjitha rrethanat, tregu dhe vetëm tregu është kushti vendimtar për t'u siguruar energji qytetarëve. Në kushtet e tregut në Shqipëri, me parashikimin e 150 milion euro në katër vite për të kapur çmimet e tregut, qeveria ka bërë detyrën."