Gjeliç: Ska mundësi që Serbia të mbetet pa BE dhe pa Kosovë
Beograd, 26 gusht, NOA - Zëvendëskryeministri i Serbisë, Bozhidar Gjeliç, vlerësoi se nuk po shqyrtohet opsioni, që tërheqja e propozim rezolutës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do ti shpejtonte integrimet evropiane.
Nuk ekziston shkop magjik, që në këtë moment do ti hapte tërësisht dyert evropiane, pasi pengesë në këtë rrugë nuk është vetëm zgjidhja e çështjes së Kosovës, tha Bozhidar Gjeliç, duke e refuzuar mundësinë që Serbia të arrijë në situatë, që të mbetet edhe pa Evropën, edhe pa Kosovën.
Në këtë aspekt, ai i tha së përditshmes beogradase Veçernje Novosti, se brenda BE-së nuk ekziston konsensus për Kosovën, prandaj Brukseli nuk mund ta vendosë Serbinë para alternativës ose Kosova, ose BE-ja.
Megjithatë ai ka theksuar se për të gjithë është e qartë se duhet të zgjidhet çështja e Kosovës, në mënyrë që i gjithë rajoni pa pengesa të hyjë në Evropë.
Ai i ka hedhur poshtë spekulimet se në qeverinë e Serbisë ka konflikte të partnerëve të koalicionit, lidhur me politikën për Kosovën dhe ka theksuar se qeveria ka pajtueshmëri.
NOA