Gjendet i masakruar brenda banesës 82-vjeçari në Durrës, Policia: Fqinji, autor i ngjarjes

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme (30 dhjetor) në Durrës, ku u gjet i masakruar me thikë dhe çekiç në fytyrë dhe trup, brenda banesës së tij 82 vjeçari Paulin G.
Policia ka identifikuar autorin e ngjarjes, fqinj i viktimës, 39 vjeçarin Fation J., dhe po vijon punën për kapjen e tij.
Gjatë kontrollit në banesën e autorit të dyshuar, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provave materiale 2 thika, 1 çekiç dhe veshjet që dyshohet se ka patur autori gjatë kryerjes së krimit.
Mjeti prerës, çekiçi dhe veshjet me njolla gjaku janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, rreth orës 18:50 të datës 30.12.2024, kanë marrë njoftim se në lagjen nr.13, Durrës, ishte gjetur i pajetë në banesë, dyshohej i dëmtuar me mjet prerës, një 82-vjeçar.
Menjëherë kanë shkuar në vendngjarje shërbimet e Policisë, grupi hetimor, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, Drejtori i DVP Durrës dhe në drejtimin e Prokurorisë kanë vijuar veprimet hetimore për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorit.
Nga këqyrja e trupit të 82-vjeçarit P. G., eksperti mjekoligjor konstatoi se kishte dëmtime të shumta të shkaktuara me mjet prerës dhe me sende të forta.
Pas një pune intensive hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar, shtetasit F. J., 39 vjeç, banues në lagjen nr. 13, fqinj i 82-vjeçarit”, thuhet në njoftim.
Kanë qenë vajzat e 82-vjeçarit ato të cilat ngritën alarmin pasi babai nuk iu përgjigjej në telefon. Ato kanë njoftuar të afërmit të cilët pasi kanë hapur me forcë derën e banesës ku jetonte 82-vjeçari me ndihmën e forcave zjarrfikëse, derën e banesës ku jetonte 82-vjeçari, kanë konstatuar se viktima ishte goditur me thikë në trup dhe fytyrë.
/rtsh.al/