Gjendja gripale, mjekët epidemiologë apel qytetarëve të vaksinohen
Lizeta Duro - Muaji nëntor sipas mjekëve epidemiologë është dhe koha kur qytetarët duhet ta kenë kryer vaksinën kundër gripit, duke qenë se trupi jonë do dy javë kohë që të fitojë imunitet mbas vaksinimit kundër virusit. Sipas epidemiologëve frekuenca aktuale e hasjes së infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme ndjek ecurinë e mirënjohur stinore prandaj duke qenë se vaksina e gripit sezonal ka mbërritur në vendin tonë që në muajin shtator mjekët specialistë shprehen se grupmoshat më të rrezikuara duhet ta kishin kryer injektimin e saj. Epidemiologët thonë se aktualisht gjendja është nën kontroll por që rreziku për tu prekur nga ky grip është i lartë sidomos për të sëmurët kronikë dhe fëmijët, pas pritet që në fund të këtij muaji numri të rritet ndjeshëm. Për rastin e personave që janë alergjikë, ose shumë të ndjeshëm nga substanca aktive, vaksina antigrip nuk këshillohet nga specialistët. Gjithashtu nuk rekomandohet te personat me temperaturë të lartë ose infeksione akute, fëmijët me mangësi të rëndë të aparatit imunitar (si pasojë e një sëmundjeje) ose ata që marrin mjekim, (sepse ulin fuqitë e tyre mbrojtëse). Po ashtu vaksina nuk rekomandohet për fëmijët dhe të rriturit që marrin mjekime të zgjatura. Shenjat më të zakonshme janë rrjedhje hundësh, dhimbje fyti, ethe, kollë e thatë, dhimbje gjoksi, dhimbje koke, dhimbje muskujsh e kyçesh dhe debulesë.
Vaksina
Vaksina përmban 3 shtame të ndryshme, shtami H1, shtami H2 dhe njëri prej tyre është ai i gripit të derrit, çka pohon se tashmë gripi i derrit do të qarkullojë si një grip normal dhe jo më si virus i rrezikshëm. Mjekët thonë se ndryshe nga vaksina për virusin AH1N1 koj vaksinë nuk ka efekte anësore dhe gjendet në çdo farmaci pa recetë, ndërkohë që çmimi i saj varijon nga 1200 deri në 1500 lekë edhe kjo në varësi të moshës që do të përdoret. Kjo është vaksina e vetme që do të përdoret ndërkohë që vaksinat e ardhura në vendin tonë,(Tamiflu) posaçërisht për gripin e derrit do të dalin jashtë funksionit dhe do të asgjësohen. Në qoftë se doza e parë jep reaksion, nuk duhet të merret asnjëherë dozë tjetër dhe duhet të lajmërohet doktori kur pacienti merr cito statik, ose bën radioterapi. Para se të vaksinohen, gratë shtatzëna ose nënat me fëmijë në gji, duhet të konsultohen patjetër me mjekun e familjes.
Efektet
Mjekët thonë se mjafton një dozë e vaksinës së gripit të inaktivuar, e cila është imunogjenike për individët e të gjitha moshave përveç fëmijëve të vegjël. Fëmijët e vegjël që nuk kanë qenë vaksinuar, për të pasur një efikasitet të lartë të vaksinimit rekomandohet të marrin 2 doza të vaksinës (sipas dozimit për fëmijët) në një interval kohor të paktën 4 jave midis dozave. Përveç rëndësisë së marrjes dhe aplikimit të vaksinës mjekët epidemiologë këshillojnë gjithashtu: Të evitoni kontaktet me njerëzit e sëmurë me gjendje gripale, edhe individët e sëmurë me grip të evitojnë kontaktet me personat e tjerë. Të merren masat bazë higjienike në veçanti, të mbajmë shami kur kollitemi dhe teshtijmë, të eliminojmë pështyrjen në tokë dhe larja e duarve është e efektshme në parandalimin e gripit. Efekti i mbrojtjes imunitare tek personat që aplikojnë vaksinën fillon të shfaqet një javë deri në dy javë pas aplikimit të vaksinës. Vaksinimi rekomandohet të kryhet pranë institucioneve shëndetësore.
Këshilla
Vaksina mund të aplikohet nga çdo person, përfshi gratë shtatzëna, por këshillohet veçanërisht te disa grupe të popullatës, për arsye të riskut më të lartë për komplikacione nga gripi si:
1. Fëmijët mbi 6 muajsh (tek fëmijët nën 6 muajsh vaksina nuk jep efekt pasi ende nuk është formuar sistemi imunitar) që frekuentojnë çerdhe, kopshte dhe shkolla.
2. Personat mbi 60 vjeç.
3. Personat që vuajnë nga sëmundje kronike të mushkërive, zemrës, veshkave etj,.
4. Personat që kanë deficite të sistemit imunitar, duhet të vaksinohen pasi të konsultohen me mjekun onkolog përkatës.
5. Personeli shëndetësor.
6. Personeli i çerdhes, kopshteve dhe shkollave.
7. Personeli që punon në stabilimentet e shpendëve.
MSH, politikat e barnave cenojnë interesat e disa operatorëve dhe deputetëve të opozitës
Ministria e Shëndetësisë lidhur me akuzat e kohëve të fundit të opozitës për politikat që kjo ministri ka ndërmarrë për prokurimin e tyre, tregun farmaceutik, sigurinë dhe cilësinë e barnave për konsumatorin shqiptar reagon duke thënë se ky insistim i opozitës nuk është një insistim që buron nga një kërkesë e shëndetshme për transparencë, por bëhet për interesa të ngushta të përfitimit të disa operatorëve të caktuar në treg, të cilët duan të përfitojnë nëpërmjet presionit dhe jo konkurrencës së ndershme. Sipas zëdhënëses së ministrisë vetëm falë politikave të fundit që ka ndërmarrë Ministria e Shëndetësisë, sektori farmaceutik në Shqipëri është tërësisht i hapur dhe transparent, jo vetëm për operatorët në treg por edhe për konsumatorët. “ Ministria e Shëndetësisë nuk i bën shërbim në asnjë rast shembujve të stisur lidhur me çmime barnash, e për me tepër kur sot, falë pikërisht këtyre politikave apo qëndrimeve të Ministrisë së Shëndetësisë, nuk ka asnjë medikament që të jetë alternativë e vetme në treg me përjashtim të atyre që janë patentë ndërkombëtare. Kjo hapje e tregut farmaceutik e panjohur më parë ka bërë të mundur nxitjen e konkurrencës dhe uljen në vazhdimësi të çmimeve, pavarësisht faktit që Shqipëria është një treg i vogël në krahasim me tregun evropian”, u shpreh Alisa Demollari, zëdhënësja e MSH-së. Demollari shtoi se politikat të cilat kanë nxitur dhe mbështetur prodhimin farmaceutik në vend, siç është licencimi edhe i një operatori të dytë prodhues në tregun farmaceutik, do të bëjnë të mundur që çmimet e barnave të bien në vazhdimësi si dhe do të rrisin prodhimin vendas duke konkurruar barnat që vijnë nga BE jo vetëm në cilësi por edhe në çmim. Sipas Demollarit nëse i referohemi listës së barnave me rimbursim gjatë vitit 2009 dhe gjatë vitit 2010 janë ulur çmimet e alternativave të para të barnave. Ky është shembulli më i qartë i efektit pozitiv që ka dhënë shtimi i konkurrencës në tregun farmaceutik. Po ashtu në funksion të kësaj është në proces hartimi i një vendimi të Këshillit të Ministrave për të negociuar çmimet e barnave me kompanitë. “Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet e saj të varësisë si Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave, kanë bërë një pune kolosale në luftën ndaj kontrabandës dhe në lehtësimin e procedurave administrative burokratike duke bërë të mundur regjistrimin e më shumë ilaçeve dhe kompanive, duke eliminuar monopolet dhe duke stimuluar kështu hapjen e tregut”, tha Demollari. Duke përgënjeshtruar akuzat dhe për transparencë ndaj publikut shqiptar, MSH tregon së i gjithë legjislacioni që përdoret në Shqipëri në lidhje me farmaceutikën, është nga pjesët e legjislacionit më të përafruara me atë të BE-së dhe çdo ndryshim ligjor që po ndërmerret i shërben hapjes së tregut, nxitjes së konkurrencës së ndershme dhe hapjes në shërbime ndaj profesionistëve si dhe ndaj publikut.
9 Nentor 2010