E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjendje emergjente, Vjosa del nga shtrati: Evakuohen banorët

TIRANË - Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta, si rrallë herë në Ditën e Verës, kanë alarmuar vendin për shkak të përmbytjeve të shumta të hektarëve të tokës dhe të rrezikut për të shembur banesa të shumta. Shtabi i Emergjencave është mbledhur në Fier për shkak të shqetësimit se reshjet intensive të cilat kanë vazhduar papushim gjatë gjithë ditës, mund të nxjerrin lumin Vjosë nga shtrati e si pasojë të vijnë prurje të mëdha uji edhe drejt qytetit.

Shtabi i emergjencave, pas takimit për të vlerësuar situatën, ka dhënë direktiva për emergjenca evakuimi gjatë natës.

Ndërsa, moti i ngarkuar me reshje ka krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve dhe mjeteve lundruese. Problemet më të mëdha janë shfaqur në det, ku tragetet në Vlorë e Durrës nuk janë nisur, ndërsa mësohet se janë bllokuar edhe disa akse rrugore nga rrëshqitjet e gurëve dhe dherave.

VJOSA DEL NGA SHTRATI, EVAKUOHEN BANORET E NOVOSELES

Ora 19:50 Lumi Vjosë, rreth së cilit mban sytë i gjithë jugu, ka filluar të shkaktojë dëmet e para në banesa. Në komunën Novosel të Vlorës rreth 30 banesa janë përmbytur, ndërsa ka filluar evakuimi i njerëzve. Aktualisht është mundësuar evakuimi i 10 familjeve dhe pritet që këtë fat të kenë edhe 20 familjet e tjera.

FUSHE-KRUJE, ISHMI DEL NGA SHTRATI

Në Fushë-Krujë lumi i Ishmit ka dalë nga shtrati duke rrezikuar fshatrat Mallkuq e Derven, Bubq. Për pasojë janë përmbytur toka bujqësore, ndërsa nëse reshjet vijojnë me intensitet rrezikohen të përmbyten edhe banesat.

EMERGJENCAT NE FIER: RREZIK PER PERMBYTJEN E FSHATRAVE

Rreziku i përmbytjeve nga Lumi Vjosë ka mbledhur Shtabin Emergjencave ne rrethin e Fierit.

Prefekti i qarkut, Robert Bitri, njëkohësisht kreu i Shabit të Emergjencave, u ka dhënë direktiva krerëve te komunave për shmangien e përmbytjeve.

Mësohet se reshjet e dendura në jug të vendit do të rrisin nivelin e Vjosës dhe rrezikohen të përmbyten një numër i madh fshatrash në Fier. Më të rrezikuar janë fshatrat Kafaraj, Ferres dhe Cerven 2, niveli i Vjosës është pak cm larg daljes nga shtrati.

VLORË E DURRËS, PEZULLOHET LUNDRIMI

Nga Vlora, Armand Xhelili, korrespodent i "A1 Report!" njofton se "moti i keq me shi dhe erëra të forta ka pezulluar lundrimin e të gjitha mjeteve lundruese të tonazhit të rëndë si dhe të atyre të peshkimit. Trageti i linjës Vlorë - Brindisi nuk u nis sot në mëngjes. Kapiteneria ka ndaluar daljen në det të peshkarexhave. Në Vlorë, era shumë e fortë në drejtim të jugut fryn me 65 km në orë dhe deti në breg është 6 ballë, ndërsa në det të hapur 6-8 ballë. Moti i keq ka shkaktuar probleme me energjeni në periferi të Vlorës. Meteorologët parashikojnë që moti i keq do të jetë deri mbrëmje, kur mund  të kthehet në një furtunë.

Nga Durrësi, korrespodenti Artur Korriku informoi se "Dita e Verës është një ditë tipike dimri, e zymtë, me shi dhe erë. Prishja e motit ka filluar në mesnatë, kur Durrësi u përfshi nga një stuhi detare. Dy tragete janë nisur nga Bari, por ka mbërritur vetëm një prej tyre dhe pasagjerët e mallrat janë zbritur, kurse tjetri është  do të mbërrijë me vonesë, mundet pas një ore. Shpresohet që shiu ta ketë qetësuar erën dhe të mos ketë probleme. Porti detar funksionin pjesërisht, sepse përpunimi është  penguar, kurse anijet me tonazh të vogël e kanë të pamundur daljen në një det 6 ballësh; era fryn me drejtim nga jugu dhe mendohet që kjo kohë do të vazhdojë edhe nesër. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar përmbytjen e rrugës së plazhit, pranë Shkëmbit të Kavajës në Durrës.

(Rruga e plazhit tek Shkëmbi i Kavajës, Durrës)

KORÇË, 100 HA TOKË BUJQËSORE PUSHTOHET NGA UJI

Reshjet intesive të shiut të rëna gjatë orëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje dhe në Fushën e Maliqit, bën të ditur gazetarja Dafina Ismaili. Sipas Ismailit, 100 ha tokë bujqësore, mbjellë kryesisht me të lashta si grurë dhe elb, është pushtuar nga ujI. Lajmi konfirmohet nga kryetari i komunës Libonik, Petrit Kupe.Sipas tij, shiu ka përmbytur vatra të konsiderueshme toke, por më problematike paraqitet situata në tokat bujqësore pranë Pyllit të Fazanëve, ku kalon dhe lumi Devoll. Krahas reshjeve intesive, të cilat kanë filluar prej mbrëmjes së 13 marsit dhe vijojnë ende, në rikthimin e përmbytjeve në tokat bujqësore të Maliqit ka ndikuar dhe mospastrimi prej vitesh i kanaleve kulluese. Përmbytjet më të mëdha në Fushën e Maliqit janë regjistruar në vitin 2010 ku mijëra ha tokë prej ditësh mbetën nën ujë.

PËRMBYTET LEZHA, BANORËT ËNDËRROJNE INVESTIME NË KULLIM

Në Lezhë, si në çdo rast me reshje intensive, lagjia "11 janari", pallatet në bllokun 11 dhe disa rrugë janë përmbytur bën të ditur gazetari Elvis Hila. Hyrjet në pallate janë izoluar plotësisht, ndërsa uji grumbullohet pikërisht nga prurjet e kanaleve kulluese të rrugëve; pusetat vetëm sa e shtojnë nivelin e ujit në këto lagje. Kjo nuk është hera e parë që këto zona përballen me përmbytje pas shiut, ndërsa ndërmarrja e shërbimeve në bashki duket e pafuqishme për të shmangur situata të ngjashme për shkak se niveli i kanaleve kulluese është me i ulët se niveli i lumit Drin, ku bëhen shkarkimet. Zgjidhja duket e largët dhe gjithçka është e varur nga investimi prej 13 milionë eurosh për rikonstruksionin e plotë të kanalizimeve të ujërave, investim i Qeverisë zviceriane dhe Bankës gjermane "KFV".

RRUGA KËLCYRË-PËRMET, RREZIKON BLLOKIMIN NGA RRËSHQITJET E GURËVE

Për shkak të motit të ngarkuar me reshje, mësohet se është bllokuar rruga Këlcyrë - Përmet. Lajmi u bë i ditur nga policia e qarkut të Gjirokastrës. Shembjet e gurëve në rrugë ndodhën sot në mëngjes rreth orës shtatë, në vendin e quajtur Kuqar. Në vendngjarje ka shkuar Policia Rrugore si dhe një fadromë e Drejtorisë së Rrugëve e cila e zhbllokoi kalimin pas 2 orësh. Gjithsesi, Policia ka njoftuar që drejtuesit e automjeteve duhet të kenë kujdes, sepse shkarjet e gurëve mund të përsëriten gjatë ditës. 

Redaksia online
(ar.sh/Gre.M/Shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›