Gjeneralët e rrezikshëm egjiptianë

Para 16 muajve, kur Mubarak ia dozoi pushtetin Këshillit Suprem Ushtarak (SCAF), gjeneralët premtuan se tranzicioni i pushtetit do të shpjerë drejt demokracisë, se egjiptianët do të fitojnë për herë të parë një parlament të zgjedhur lirshëm, njësoj sikurse edhe presidentin dhe kushtetutën e re, dhe se në vend do të themelohet sundimi i së drejtës.
Gati asnjëri nga këto premtime nuk u realizua.
Faza e dytë, dhe vendimtare, ajo e zgjedhjeve presidenciale, sipas të gjitha gjasave në postin e presidentit do të ulë Mohamed Mursi, një anëtar ky i devotshëm i Vëllazërisë Myslimane. Por, edhe më e rrezikshme se kjo është sjellja e ushtrisë, e cila po tregon qartë se nuk e ka ndërmend të braktisë vijën e parë të politikës kombëtare.
Ç’është e vërteta, gjeneralët e epokës së Mubarakut përsëritën se pushtetin do t’ia dorëzojnë shefit të zgjedhur të shtetit, i cili pritet të shpallet këto dy ditë, mirëpo ata, paraprakisht, shpallën një dekret, përmes të cilit ia kufizojnë fuqinë presidentit të ri, duke sinjalizuar kashtë shumë qatë se s’e kanë ndërmend të tërhiqen nga ndikimi politik.
Alarmi u aktivizua atëherë kur gjeneralët arritën që në Gjykatën Supreme Kushtetuese të ndikonin për shpërbërjen e parlamentit të zgjedhur legalisht, dhe që kryeministrit të fundit të Mubarakut, Ahmad Shafiq, t’i sigurojnë pjesëmarrjen në garën presidenciale, përkundër ndalesës së shpallur më herët që u ndalonte zyrtarëve të ish-regjimit që kandidojnë për funksione publike.
Në vend që të festojnë për presidentin e parë të zgjedhur lirshëm, egjiptianët gradualisht po fillojnë të humbin shpresën në revolucionin e 25 janarit, gjatë t cilit vitin e kaluar u vranë afro 850 njerëz.
Situata duket se i konvenon vetëm rritjes së dëshpërimit të përgjithshëm. Vëllazëria Myslimane nuk duket e lumtur që do t’i duhet të dalë sërish në zgjedhje, sepse në mënyrë krejt legale ajo kishte arritur që të fitonte gjysmën e ulëseve në parlament. Liberalët dhe sekularistët, si bartës të parë të revolucionit të 25 janarit, ndjehen të plaçkitur. E, miliona egjiptianë të varfër e të papunë s’po mund të gjejnë ngushëllim në faktin që Mubarak u dënua me burgim të përjetshëm.
Tentimi i koncentrimit të pushtetit në duart e gjeneralëve, të cilët tash e gjashtë dekada sunduan me vendin, shumëkujt ia çon mallin në njëlloj “grusht-shteti”. Po del se kishin të drejtë ata që në muajt e parë pas Mubarakut pohonin se ushtria dëshiron të vjedhë revolucionin.
Me plotësimin e deklaratës kushtetuese, që u shpallë dy orë pasi që u mbyllën vendvotimet për zgjedhjet presidenciale, gjeneralët ia deleguan SCAF’it një autoritet të konsiderueshëm, përfshirë këtu të drejtën për të shpallur ligje, për të mbikëqyrur buxhetin, për t’i siguruar vetes imunitet ligjor, për të ndikuar gjatë formulimit të kushtetutës së re, dhe për t’i shkurtuar shefit të ri të shtetit çfarëdo të drejte që ka të bëjë me ushtrinë.
Për më tepër, meqenëse s’ka ligj që rregullon autorizimet e forcave të armatosura, SCAF do të rregullojë edhe këtë lëmi, por edhe do të përfaqësojë trupin legjislativ deri në zgjedhjen e parlamentit të ri.
Veç kësaj, tani po del se në mesin e pesë grupimeve kryesore politike që po mundohen të ndajnë pushtetin po futet edhe ushtria, e cila me një koncentrim enorm të fuqisë dhe ambicies po e dikton kushtetutën e re, ndërkohë që shefit të ri të shtetit po ia kufizon të gjitha autorizimet që mund të ndërlidhen me të.
Gjeneralët e Mubarakut po e ngulfasin gardën e vjetër, që e mbështeti Shafiq’un. Po i bllokojnë Vëllazërinë Myslimane, salafistët radikalë dhe grupet tjera islamike. Po ngulfasin çdo gjë që mbeti nga rinia revolucionare e sheshit Tahrir. Po i heshtin edhe naseristët, forcat libelave e sekulariste që gëzojnë një popullaritet të madh.
Meqë Mursi është në rrugë të mirë që të zgjidhet president i ri, të gjithë tani presin të shohin se cili do të jetë reagimi i Vëllazërisë Myslimane. Po rritet frika nga dhuna.
Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shpërbërjen e parlamentit - ku Vëllazëria Myslimane kishte gjysmën e ulëseve, e salafistët radikalë 25 përqind të tjera – duhej të ishte dëshmi për krijimin e një gjyqësie të pavarur, atëherë ky synim u huq.
E gjithë kjo të kujton vitin 1991, kur Fronti Kombëtar Islamik i Shpëtimit i fitoi zgjedhjet në Algjeri, e pastaj, me vendimin e ushtrisë iu pamundësua që të drejtonte vendin. Pas kësaj, pasoi lufta qytetare, që rezultoi me 150,000 të vrarë.
“Kjo është faza më e rrezikshme në historinë moderne të Egjiptit”, vlerëson për gazetën egjiptiane ‘Al-Ahram’, Khaled Fahmi, shef i departamentit të Historisë në Universitetin Amerikan të Kajros.
Vendimet e SCAF ia kufizojnë tepër shumë autorizimet presidentit të zgjedhur, sepse përveçqë s’do të ketë asnjë autoritet mbi SCAF dhe institucionet ushtarake, ai s’do të ketë të drejtë as të shpallë gjendjen e luftës. E tëra që i mbetet është e drejta e zgjedhjes së kryeministrit.
Si rezultat i gjithë kësaj, shtrohet pyetja: A do të dalin egjiptianë përsëri në rrugë, për të parandaluar kështu që revolucioni t’iu dalë nga dora?
Duke mos arritur të dal nga kthetrat e së kaluarës, Egjipti nuk po e gjen rrugën e ecjes përpara. 18 muaj pas revolucionit po përsëriten gabimet që duhej të ishin shmangur. E gjithë kjo situatë vetëm sa po e vërteton që demokracia nuk është vetëm demonstrimi, brohoritja e sloganeve dhe hedhja e këpucëve drejt politikanëve të urryer.