Gjenerali Dan Caine: Rusia e Putinit ka ndihmuar Iranin në luftën ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj

Shefi i Shtatmadhorisë së Përgjithshme të SHBA-së, gjenerali Dan Caine, ka konfirmuar zyrtarisht se Rusia e Presidentit Vladimir Putin po ndihmon përpjekjet e luftës së Iranit kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj.
Deklarata u bë gjatë seancës dëgjimore në Senat, duke shënuar një nga konfirmimet më të drejtpërdrejta publike nga një zyrtar i lartë ushtarak amerikan deri tani.
Sipas gjeneralit Caine, Rusia ka marrë “definitivisht disa veprime” për të mbështetur Iranin në konfliktin aktual, i cili tashmë ka hyrë në muajin e tretë.
Megjithatë, ai refuzoi të jepte detaje të mëtejshme, duke cituar natyrën publike të seancës dëgjimore.
Kryetari i Komitetit të Forcave të Armatosura të Senatit, senatori republikan Roger Wicker, u pajtua plotësisht me vlerësimin e gjeneralit Caine.
Ai theksoi se nuk ka dyshim për rolin e Rusisë.
Deklaratat vijnë në një moment delikat për administratën Trump, ndërsa SHBA-të vazhdojnë operacionet ushtarake kundër Iranit, duke përfshirë bllokadën detare dhe goditje të synuara.
Zyrtarët amerikanë kanë shprehur shqetësim prej muajsh për bashkëpunimin midis Rusisë, Kinës, Koresë së Veriut dhe Iranit, por konfirmimi publik nga Caine e ngrit nivelin e tensionit diplomatik.
Analistët ushtarakë besojnë se ndihma ruse mund të përfshijë furnizime me armë, inteligjencë satelitore, dronë ose mbështetje teknike, megjithëse detajet mbeten të klasifikuara.
/rtsh.al/