E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjeorgjia voton sot për parlamentin e ri

Gjeorgjia po mban këtë të shtunë zgjedhjet parlamentare, ku garon një bashkim i paprecedentë i forcave opozitare properëndimore kundër “Ëndrrës Gjeorgjiane”. Partia në pushtet akuzohet se po kthen kursin e vendit drejt Rusisë. Brukseli paralajmëroi se votimi i sotëm do të përcaktojë shanset e vendit kandidatit të Bashkimit Evropian për t’u bashkuar me bllokun.

Sondazhet tregojnë se partitë opozitare mund të marrin vota të mjaftueshme për të formuar një koalicion për të zëvendësuar partinë “Ëndrra Gjeorgjiane” të kontrolluar nga miliarderi Bidzina Ivanishvili.

Presidentja pro-perëndimore Salome Zurabishvili, që ka mosmarrëveshje me partinë në pushtet, pasi hodhi votën e saj u shpreh: “Kam besim se kjo ditë do të përcaktojë të ardhmen e Gjeorgjisë, e ardhmja për të cilën unë u ktheva në këtë vend 22 vjet më parë.”

“Ëndrra Gjeorgjiane” kërkon të fitojë një shumicë absolute që do t’i lejojë asaj të miratojë një ndalim kushtetues për të gjitha partitë kryesore të opozitës.

Kjo parti që qeveris që nga viti 2012, fillimisht ndoqi një axhendë politike liberale pro-perëndimore, por gjatë dy viteve të fundit ka ndryshuar kurs në mbështetje të Rusisë. Miratimi i një ligji të diskutueshëm për “ndikimin e huaj”, nga Ëndrra Gjeorgjiane, bazuar në një ligj të njëjtë rus, shkaktoi protesta masive në fillim të vitit.

Kjo masë bëri që Brukseli të ngrijë procesin e pranimit të Gjeorgjisë në BE, ndërsa Uashingtoni vendosi sanksione ndaj dhjetëra zyrtarëve gjeorgjianë.

Kremlini kritikoi të premten ato që i quan përpjekje të paprecedenta për ndërhyrje perëndimore në zgjedhjet në Gjeorgji. Partitë opozitare në Gjeorgji kanë nënshkruar një platformë politikash pro-evropiane që përfshijnë reforma të gjera.

Nëse fiton zgjedhjet, opozita ka rënë dakord të formojë një qeveri të përkohshme shumëpartiake për të nxitur zbatimin e reformave, para se të thërrasë zgjedhje të reja. Parlamenti gjeorgjian ka 150 anëtarë.

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›