Gjermani, të gjelbrit dhe liberalët bisedime intensive për formimin e qeverisë

Të vetëdijshëm për rolin e tyre si violinë e parë në formimin e një koalicioni të ri qeverisës gjerman, të gjelbrit dhe Partia Demokratike e Lirë (FDP) pro biznesit hynë në një raund të dytë të bisedimeve dypalëshe.
Të ashtuquajturat bisedime të koalicionit “paraformues” synojnë të gjejnë gjuhë të përbashkët midis dy partive që përfunduan të tretat dhe të katërtat në zgjedhjet e së dielës së 26 shtatorit.
Të gjelbrit morën 14,8 për qind të votave, ndërsa FDP-ja mori 11,5 për qind të tyre.
Dy palët mbajtën raundin e parë të bisedimeve me dyer të mbyllura. Ata kanë vendosur që t’i mbajnë konfidenciale diskutimet e vazhdueshme.
Social-demokratët (SPD), të cilët morën 25,7 për qind dhe blloku konservator kristian- demokrat (CDU) i kancelares Angela Merkel në largim, me 24,1 për qind, do të hyjnë gjithashtu në bisedime.
Të dy po përpiqen të udhëheqin qeverinë e re dhe synojnë të formojnë koalicione tripalëshe me të gjelbrit dhe FDP-në.
Pas zgjedhjeve të vitit 2017, bisedimet e koalicionit midis bllokut konservator CDU/CSU, të gjelbërve dhe FDP-së u ndërprenë për mosmarrëveshjet që Merkel i quajti “kultura jashtëzakonisht të ndryshme të stileve të negocimit”.
Pas gati pesë muajsh, CDU/CSU ka formuar një përsëritje të “koalicionit të madh” që ka qeverisur Gjermaninë për 12 nga 16 vitet e fundit.
Kjo plejadë mbetet një mundësi këtë herë, edhe pse të dy po përpiqen ta shmangin atë. /ATSH