Gjermania dhe Franca thirrje Iranit: Kthehu urgjent në bisedime me SHBA-në

Kancelari gjerman Friedrich Merz dhe Presidenti francez Emmanuel Macron kanë lëshuar një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje Iranit që të ndalojë menjëherë çdo eskalim ushtarak dhe të rikthehet në tryezën e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara.
Deklarata u miratua pas një mbledhjeje të përbashkët të Këshillit të Mbrojtjes dhe Sigurisë midis dy vendeve, e cila u përqendrua kryesisht në tensionet në Lindjen e Mesme dhe sigurinë energjetike globale.
Në deklaratën e tyre të përbashkët, dy liderët theksuan:“I nxisim Iranin që të përmbahet nga çdo veprim që rrezikon negociatat në vazhdim, qoftë përmes eskalimeve ushtarake, aktiviteteve destabilizuese apo deklaratave provokuese. De-eskalimi është i domosdoshëm për të hapur rrugën drejt një zgjidhjeje diplomatike.”
Merz dhe Macron kanë vënë theks të veçantë edhe në rëndësinë strategjike të Ngushticës së Hormuzit.
Dy liderët thanë se është “urgjente” që ngushtica të rihapet plotësisht për trafikun detar ndërkombëtar, pasi mbyllja ose kërcënimi i saj ka pasoja të rënda për tregun global të naftës dhe sigurinë energjetike të Evropës dhe botës.
Ngushtica e Hormuzit është një nga arteriet kryesore të transportit të naftës në botë. Mbi 20% e naftës së papërpunuar që tregtohet globalisht kalon nëpër këtë ngushticë. Çdo pengesë në të çon menjëherë në rritje të çmimeve të energjisë, diçka që Evropa po përpiqet ta shmangë në periudhën aktuale të paqëndrueshmërisë gjeopolitike.
Gjermania dhe Franca, si dy fuqi kryesore evropiane, po luajnë një rol aktiv diplomatik për të ulur tensionet midis Iranit dhe Perëndimit.
/rtsh.al/