Gjermania ka një plan paszgjedhor për deficitin
Politika në eurozonë
Politikanët aleatë në koalicionin qeverisës të Angela Merkelit deklaruan dje se nuk do të pranonin asnjë plan për të rritur taksat pas zgjedhjeve për të balancuar buxhetin e shtetit, ndërkohë që kampioni i disiplinës financiare në Europë po vuan ca nga deficiti. Media gjermane njoftoi se ka një plan të hartuar nga ministri i Financave, Schaeuble, për të rritur Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në 19 për qind për të gjitha mallrat, duke shmangur TVSH-në prej 7 për qind që zbatohet aktualisht në mallrat ushqimorë, masë që mund të sjellë 23 miliardë euro shtesë në buxhet çdo vit dhe që natyrisht do të rrisë çmimet për konsumatorët. Por Ministria e Financave e mohoi menjëherë lajmin.
Gjermania ka vështirësi në respektimin e nivelit të deficitit që po këmbëngul të respektohet nga vendet e tjera të eurozonës. Ka shumë ekspertë që mendojnë se disiplina financiare do të kthehet në këtë vend pas shtatorit të ardhshëm, kur pritet të zhvillohen edhe zgjedhjet parlamentare. Borxhi publik i Gjermanisë është rritur në 81.5 për qind të PBB-së, nga 60 për qind që është maksimumi i synuar në eurozonë. Gjermania pret të mos shënojë deficit buxhetor për këtë vit dhe të ketë një suficit për vitet 2013 dhe 2014, por diskutimi është se suficitet mund të mos jenë të mjaftueshme për të ulur borxhin publik me shpejtësinë e dëshiruar.
Gjermania ka një plan paszgjedhor për deficitin burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP