Gjermania mund ti thotë jo ndihmës për Athinën
Greqia duhet t’i bëjë më të ashpra masat e reja për të reduktuar shpenzimet para se të marrë çdo lloj ndihme nga Bashkimi Europian dhe nëse nuk e bën diçka të tillë rrezikon të mos marrë asnjë suport. Kështu deklaroi dje në një intervistë dhënë për “Bild”, ministri i Financave gjermane. “Fakti që as BE-ja dhe as qeveria gjermane nuk kanë marrë një vendim për ndihmat, do të thotë se përgjigjja mund të jetë si pozitive ashtu edhe negative”, tha Schaeuble për të përjavshmen “Bild”. Wolfgang Schaeuble e vlerëson si të mundshme një refuzim të ndihmës së kërkuar prej Greqisë nga ana e qeverisë gjermane. Ndërkohë, nga njoftimet e agjencive bëhet e ditur se Greqia mund të ketë më shumë nevojë për ndihma financiare se sa 45 miliardëshi i planifikuar nga BE-ja dhe FMN-ja. Sipas njoftimeve të gazetës gjermane "Welt am Sonntag", nevojat e Athinës kapin shifrën e disa qindra miliarda eurove. Në politikën e Berlinit është rritur së fundmi shqetësimi se ndihmat financiare për Greqinë me një borxh aktual prej 300 miliardë eurosh, mund të jenë pafundësisht të nevojshme. “Kjo do të varet krejtësisht nga fakti se nëse Greqia do të vazhdojë në vitet në vazhdim të mbajë të njëjtën linjë për kursimet. Këtë nënvizoi edhe ministri grek i Financave”, tha ministri gjerman. Vetëm dy ditë më parë Greqia kërkoi formalisht aktivizimin e paketës së ndihmave FMN-BE prej 45 miliardë euro. Schaeuble tha se një program i ashpër kursimi për vitet e ardhshme është i pashmangshëm dhe një kërkesë absolute nëse Gjermania dhe BE-ja aprovojnë ndihmën e kërkuar. Ndërkaq, edhe ministrja franceze e Financave, Christine Lagarde, duke folur për gazetën franceze, “Journal du Dimanche”, tha se Greqia nuk kishte përmbushur zotimet e bëra në të kaluarën.
Ajo u shpreh se lëvrimi i ndihmës duhet të verifikohej në mënyrë strikte. Nga ana tjetër, drejtori i FMN-së, Dominique Strauss-Kahn, ka besim se diskutimet për ndihmën e Athinës “do të përfundojnë në kohë për të plotësuar nevojat e Greqisë”. Kjo ishte fjalia që tha Kahn pas takimit me ministrin grek të Financave, George Papaconstantinou, duke saktësuar se “FMN-ja, partnerët europianë dhe të gjithë ata që janë përfshirë në procesin e financimit të borxhit grek duhet të ndiejnë përgjegjësinë e të vepruarit sa më shpejt të jetë e mundur, pasi situata është shumë emergjente”. “Unë dhe ministri grek patëm një takim shumë konstruktiv dhe jam befasuar nga vendosmëria e autoriteteve greke për të marrë masat e nevojshme dhe për ta çuar ekonominë në rrugën e duhur. Jemi të gjithë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e situatës dhe për sforcimet e bëra nga popullsia greke”, tha Kahn. Kriza e shkaktuar nga deficiti buxhetor në Greqi ishte tema kryesore e takimit mes Fondit Monetar Ndërkombëtar me Bankën Botërore që u zhvillua në Uashington. Në Greqi përfshirja e FMN-së ka krijuar zemëratë në popull dhe janë rritur zërat kundër pranimit të këtij borxhi të madh. Shefi i FMN-së u përpoq të sigurojë opinionin publik në Greqi lidhur me politikat e institucionit të tij. Dominique Strauss-Kahn është i ndërgjegjshëm për shqetësimet në Greqi lidhur me politikat që vendit i duhet të ndjekë për të marrë ndihmën financiare. Ai tha se FMN-ja kishte si objektiv të ndihmonte vendet në vështirësi, por ai nuk hodhi dritë mbi politikat e mundshme. Besohet se fjala është për më shumë ulje të shpenzimeve. Ndërkohë, sipas njoftimeve të agjencive, tre të katërtat e grekëve janë të pakënaqur me qeverinë. Sipas Institutit Alco, grekët mendojnë se qeveria e tyre ose ka reaguar shumë ngadalë, ose jo ashtu si duhet në lidhje me krizën. Mbështetja për Kryeministrin Papandreu po bie. 65.2% e grekëve janë të mendimit se Papandreu i ka lënë ata në paqartësi mbi të vërtetën e ekonomisë greke.
#