Gjermania ndihma për Kosovën, kamionë ushtarakë për operacione të vështira

Gjermania i dhuroi Forcave të sigurisë së Kosovës 5 kamionë ushtarakë me vlerë rreth 3 milionë euro. Ministri i mbrojtjes Ejup Maqedonci dhe ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë Jorn Rohde thanë se këto automjete vijnë si mbështetje për mbrojtjen dhe sigurinë e vendit.
“Do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të FSK-së. Në rrugën e rritjes dhe zhvillimit të ushtrisë sonë, rol të jashtëzakonshëm ka luajtur partneri ynë strategjik, Republika Federale e Gjermanisë. Mbështetja me automjete ushtarake FSK-në është vetëm njëra nga fushat që Gjermania kontribuuan ndjeshëm për mbrojtën dhe sigurinë e vendit tonë”, tha ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci.
Ambasadori gjerman nënvizoi marrëdhëniet mes dy vendeve, për të cilat tha se bashkëpunimi më i ngushtë është ne fushën e sigurisë.
“Marrëdhëniet Gjermani-Kosovë janë të shkëlqyera dhe bashkëpunimi ynë me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në po bëhet gjithnjë e më i ngushtë, veçanërisht në fushën e sigurisë. Jam i kënaqur që jam sot këtu për të dorëzuar donacionin gjerman të financuar nga iniciativat e qeverisë federale gjermane për përmirësimin dhe aftësimin e iniciativave të trajnimit”, tha ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.
Kamionët e dhuruar nga Gjermania sipas kompanisë prodhuese shërbejnë për të kryer operacione taktike dhe logjistike në kushte sfiduese dhe në terrene të vështira. /vizionplus.tv