E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjermania uron Kurtin, kërkon rifillim të shpejtë të dialogut me Serbinë

PRISHTINË, 28 shtator /ATSH/ Gjermania ka bërë me dije se pret një angazhim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për rifillimin e shpejtë të dialogut me Serbinë.

Një gjë e tillë është thënë në letrën e urimit që ambasadori i këtij shtetit në Prishtinë, Rainer Rudolph ia dërgoi shefit të qeverisë së Kosovës, me rastin e rizgjedhjes së këtij të fundit si kryeministër, e për të cilën qeveria njoftoi të hënën.

Aty thuhet se përparimi në dialog është i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës.

“Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, mbetet thelbësor për stabilitetin afatgjatë në Ballkanin Perëndimor”, shkruan në letrën e Rudolph.” Prandaj, shpresoj që ju dhe qeveria juaj të angazhoheni për rifillimin sa më të shpejtë të dialogut dhe të punoni drejt marrëveshjeve praktike, të qëndrueshme dhe të bazuara në respekt të ndërsjellë. Përparimi në këtë drejtim do të jetë i rëndësishëm për avancimin e mëtejshëm të perspektivës evropiane të Kosovës.

Pos kësaj çështje, ne letrën e ambasadorit Rudolph thuhet se Gjermania e vlerëson Kosovën si partnere të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor

“Gjermania dhe Kosova lidhen nga marrëdhënie të ngushta e të kahershme. Që nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike në vitin 2008, partneriteti ynë është zhvilluar vazhdimisht. Gjermania e vlerëson lart Kosovën si partnere të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë stabilitetin, reformat dhe të ardhmen evropiane të rajonit”, ka shkruar i dërguari i Berlinit në Prishtinë. “Ju dhe qeveria juaj keni përpara detyra të rëndësishme. Për Gjermaninë, përkushtimi i Kosovës ndaj integrimit në Bashkimin Evropian është një shtyllë e bashkëpunimit tonë. Politika e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor mbetet e përqendruar te zgjerimi i Bashkimit Evropian”.

Në fund të letrës së tij Rudolph ka shkruar se “me kënaqësi pres të punoj me ju dhe qeverinë tuaj për të thelluar bashkëpunimin dhe për të mbështetur përparimin e Kosovës në këto fusha jetike”.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›