E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjiknuri: Berisha s’ka as parti, tani ka hyrë te shtëpia e Ilir Metës, përfaqësojnë të shkuarën

Partia Socialiste çeli fushatën elektorale edhe për Bashkinë e Gramshit për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.  Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, bashkë me kandidatin, Besian Ajazi, ishin bashkë në çeljen e kësaj fushate.

Gjiknuri deklaroi se qytetarët e kanë bërë tashmë zgjedhjen e tyre, dhe do të kërkojnë më 14 maj që Gramshi dhe Shqipëria të vijojnë të ecin përpara.  Ai nënvizoi se Berisha dhe Meta, bashkë me kandidatin e tyre, përfaqësojnë të shkuarën. 

“Nuk kemi pse të kthehemi pas me Ilirin dhe me Saliun. Tani për martesën Berisha-Meta, unë s’kam çfarë të flas se e keni provuar. I keni njohur të dy llojet e qeverisjes. Ne s’kemi më punë me ata. Ata nuk përfaqësojnë as të ardhmen, as s’kanë ndonjë projekt zhvillimi. Të vetmin projekt që kanë është që të marrin ndonjë bashki që të thonë se po bëjnë revolucionin që do Berisha, revolucionin e Foltores. Berisha s’ka as parti, tani ka hyrë te shtëpia e Ilir Metës. Dhe lista e këshillit këtu e shihni vet ju, përfaqësuesit e Ilir Metës ka. Mos të them se çfarë opinioni kanë ndërkombëtarisht se jo më pak se para disa ditësh edhe zyrtari i lartë amerikan e tha që nuk kanë të ardhme. Berisha e ka mbyllur marrëveshjen me popullin shqiptar. Atëherë pse duhet t’i çojmë votat dëm me përfaqësuesin e tyre këtu?Ata përfaqësojnë të shkuarën”,- tha Gjiknuri. 

Sipas tij, PS i ka kthyer dinjitetin jo vetëm Gramshit, por edhe Shqipërisë. 

“Ne kemi projekte të mëdha për këtë vend. Vërtet nuk kemi bërë gjithçka, ama po ti vemë gjërat në kandar, qeveria e Edi Ramës ka bërë shumë jo vetëm për Gramshin, por edhe për Shqipërinë. I ka kthyer dinjitetin Shqipërisë, e ka ndryshuar këtë vend. PS dhe Gramshi e kanë të lidhur fatin bashkë. Çdo zhvillim i mirë në këtë qytet, në këtë bashki, ka ardhur nga Partia Socialiste. Njerëzit tuaj kudo që kanë qenë kanë gjetur fatin me PS. Në të gjithë rrugët e jetës dhe zhvillimi i Gramshit është i lidhur me fatin e kësaj partie në pushtet. Nuk është rastësi që gjatë viteve të qeverisjes sonë këtu kanë ndodhur transformime të mëdha. Qeveria e Edi Ramës bëri të mundur që Gramshi të mos shuhej nga harta, përkundrazi Gramshit t’i shtoheshin shanset për zhvillim. Besi është nga ata shembuj që jo vetëm u zgjodh deputet, por la detyrën e  deputetit me kënaqësi që t’u shërbente qytetarëve të Gramshit”,- deklaroi Gjiknuri.

Sipas tij, masat e fundit të qeverisë për rritjen e pagave, sidomos të administratës shtetërore dhe rritjen e minimumit të pagës në këtë vend, ndikojnë direkt në përmirësimin e jetës së shumë qytetarëve.

“Do të kemi një administratë më të paguar. Ato masa janë konkrete dhe do bëhen efektive duke filluar nga ky vit, me synimin që rroga mesatare vitin tjetër të shkojë gati 900 euro. Kjo është shumë e mundshme për shkak të reformave të bëra, mirëadministrimit fiskal dhe qasjen sonë më të majtë. Ne kemi pasur mundësi që të rrisim pensionet. Ne dhamë disa shpërblime. Por me rritjen e pagave dhe të pensioneve, do rritet dhe fondi i kontributit të sigurimeve shoqërore, përfshirë dhe pensionin. Kjo do të sjellë më vonë automatikisht edhe rritjen e pensioneve. Mos ta hedhim votën tonë dëm, ta çojmë për të mirën tuaj, për të mirën e qytetarëve, për të mirën e pensionistëve, për të mirën e  gjithë punonjësve”,- deklaroi Gjiknuri.

Sipas tij, në këto zgjedhje konkurrojë dy filozofi, dy praktika qeverisje, dy praktika në politikë, ku njëra na çon mbrapa, sepse ai që është këtu, është pinjoll i Sali Berishës dhe i Ilir Metës.

 “Ai është, pavarësisht se ju vjen si shoku juaj, jam i juaji thotë. Po ça do bëjë ai në Gramsh, se për çfarë keni ju që të vijë njëri në zyrë që ka qenë dikur kryetar komune dy herë, të marrë atë zyrën e bashkisë, të punësojë ca militantë? Çfarë ka kundërshtari në dorë? Të gënjejë! Ju në Gramsh e keni provuar tranzicionin e pushtetit. Mos e hidhni votën dëm. Ju e dini që qeveria e Sali Berishës as e ka pasur fare në llogari Gramshin”, tha Gjiknuri. 

Ndërsa kandidati i PS, Besian Ajazi, siguroi se projektet për Gramshin nuk do të ndalen as në qytet dhe as në zonat rurale. Ai theksoi se mbështetja për PS, është garanci për vijimin e projekteve. 

“PS ka alternativën më të mirë, më përfaqësuese, më progresiste që punon dhe mendon për njerëzit gjithë kohës. Vota më 14 maj, nuk është votë vetëm për PS, nuk është votë vetëm për Besian Ajazin. Vota më 14 maj është votë për ju, votë për familjet tuaja, është votë për qytetin e Gramshit për ta çuar Gramshin në një tjetër stad të zhvillimit, për ta çuar Gramshin në majat më të larta të zhvillimit. Ne do të fitojmë në çdo njësi administrative, do fitojmë në çdo kuti, në fshat dhe në qytet sepse Gramshi meriton të vazhdojë përpara, të vazhdojë përpara me PS, sepse Gramshi nuk ka më kohë të kthehet mbrapa”,- deklaroi Ajazi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›