E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjiknuri: Progres-Raporti, drejtësia Shqiptare e pushtuar nga probleme të mëdha

Tiranë, 21 tetor NOA Deputeti i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri duke iu referuar progres-raportit ka deklaruar sot se sistemi i drejtësisë në vendin tonë është pushtuar nga probleme të mëdha.

Raporti i fundit i Komisionit Evropian  për Shqipërinë,  rithekson edhe një herë me forcë dobësitë sistematike të demokracisë shqiptare, përfshirë edhe komponentët e tjerë, aspak pozitiv që lidhen me keqqeverisjen dhe politikat e ndjekura nga qeveria Berisha në këto vitet e fundit.

Një nga fushat më problematike dhe që ka shënuar përkeqësim të dukshëm gjatë qeverisjes së Sali Berishës, është drejtësia.

Në Progres Raportin e radhës dalin në pah problemet e mëdha që kanë pushtuar sistemin e drejtësisë. Raporti shpreh qartë se autoritet shqiptare kanë bërë një progres shumë të pakët në fushën e drejtësisë dhe në kuadrin ligjor që rregullon këtë sektor jetik për vendin tha Gjiknuri.

Sipas tij, në progres raport vihet theksi edhe në ndërhyrjet politike të qeverisë në  kufizimin e pavarësisë së gjyqësorit, duke konfirmuar atë që opozita shqiptare e ka deklaruar vazhdimisht, që familja Berisha gjatë mandatit të tij të parë, por edhe në vazhdim, ka ushtruar dhe ushtron trysni mbi pushtetin e pavarur të drejtësisë.

Socialisti jep shembuj si pushimi i çështjeve që lidhen me skandalin e rrugës Durrës-Kukës, çështjen e Gërdecit, apo edhe gjykimet e shpejtuara të Kolegjit Zgjedhor në favor të kërkesave të Partisë Demokratike.

Për herë të parë në leksikun politik të ndërkombëtarëve është përfshirë nocioni i kulturës së  pandëshkueshmërisë  të zyrtarëve,  duke përbërë një stad tjetër të kapjes së shtetit nga familja që qeveris vendin.

Problemet e drejtësisë kërkojnë mbështetje financiare nga ana e ekzekutivit për përmbushjen me sukses të misionit të drejtësisë, si dhe kërkojnë ushtrimin e kujdesit të duhur në përzgjedhjen e kandidatëve për  karrierë  në të gjitha nivelet e gjyqësorit, mbi baza profesionale  dhe larg ndikimeve të paligjshme,  qofshin këto politike apo financiare.

Partia Socialiste ka qenë dhe është e gatshme të jap kontributin e saj në këtë drejtim.

PS kërkon gjithashtu që ti hapet rruga  sa më parë  ngritjes së komisionit hetimor për zgjedhjet,  me qëllim  mundësimin e kontributit të  opozitës në  kuvend,  në  mbështetje të reformave të shumëpritura në këtë sektor përfundoi deputeti socialist.

k.k/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›