E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjiknuri në Uashington: Aleancë e fortë ndaj kërcënimit që vjen prej autokracive

TIRANË, 5 shkurt /ATSH/ Sekretari i Organizimit dhe Zgjedhjeve në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, gjatë vizitës në Uashington mori pjesë në Forumin për Çështjet e Sigurisë, Përballimin e Veprimeve të Dëmshme të Kinës, Rusisë dhe Iranit, organizuar në Kongresin Amerikan.

Zyrtarë të lartë të administratës amerikane në institucionet e sigurisë dhe inteligjencës, kongresmenët Session, Aderhold, Self, Moolenaar, Fallon, Diaz-Balart, Souzzi dhe Wilson diskutuan me përfaqësues politikë nga Evropa Juglindore dhe më gjerë në lidhje me sfidat e sigurisë me të cilat përballemi.

Forumi u bashkëdrejtua nga kongresmenët Session, Aderhold dhe deputeti i opozitës, Fatmir Mediu, ndërsa të ftuar ishin dhe një grup deputetësh nga Kuvendi i Shqipërisë, përfaqësues të mazhorancës dhe opozitës.

Gjatë fjalës së tij në këtë forum, Gjiknuri theksoi se “sfida e botës së lirë ndaj kërcënimit që vjen prej autokracive është një aleancë e fortë e cila ndonëse mund të mos kontrollojë çdo ngjarje, do të jetë e aftë të kontrollojë reagimin pas ngjarjeve”.

“Ky forum po bëhet i përhershëm dhe kjo është gjë e mirë. Si një vend i vogël i botës së lirë, apo nga familja e botës së lirë, ne po japim kontributin tonë se si mund të punojmë më mirë dhe si t’i kuptojmë më mirë problemet tona. Nuk do të hyj në secilin çështje, por mendoj se kjo tryezë ka përcjellë dy, apo tre mesazhe. Pikësëpari, ne nuk mund të kontrollohemi nga ngjarjet, apo nga njerëzit e këqinj që krijojnë ngjarje. Por cilësia e aleancës varet nga mënyra se si ne reagojmë ndaj ngjarjeve. Dhe mendoj se një Amerikë më e fortë, ose politika “Amerika e Para” – siç ne e kuptojmë nga jashtë – do të thotë Aleancë më e fortë”, u shpreh ai.

“Kjo sepse, pa udhëheqjen e fortë të Amerikës, kjo Aleancë do të ishte e dobët. Mendoj se gjëja më e rëndësishme këtu, që besoj se të gjithë kombet e vegjël të pranishëm këtu do t’i përcjellin Kongresit, është që të jeni të angazhuar. E dimë që Amerika ka shumë probleme për të sfiduar, por lidershipi dhe angazhimi i Shteteve të Bashkuara në të gjitha pjesët e familjes së botës së lirë është jetik për paqen dhe sigurinë”, tha Gjiknuri.

“Ne flasim për sanksione, por pa patur një familje të fortë të botës së lirë dhe bashkëpunim të botës së lirë, sanksionet do të ishin të pakuptimtë. Ne e dimë shumë mirë që gjysma e botës i përket atyre që janë quajtur si BRICs, apo Jugu Global, por ne duhet ta zgjerojmë familjen tonë të lirisë, pasi përndryshe ne do ta humbnim këtë aleancë dhe pastaj do të përballeshim me sfida edhe më të mëdha. Prandaj është një mundësi e mirë tani që ne si kombe të vegjël ta përcjellim këtë mesazh: jini të angazhuar. Amerika e Para do të thotë Amerikë më e fortë dhe do të thotë aleancë më e fortë”, përfundoi Gjiknuri. /j.p/

1 nga 15

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›