E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Gjiknuri në Uashington: SHBA, mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare

TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Sekretari i Organizimit dhe Zgjedhjeve në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, deputetja e PS-së Blerina Gjylameti dhe kryetari i grupit të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ndodhen në Uashington në kuadër të një delegacioni me deputetë të Kuvendit.

Të shoqëruar nga ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati, ata u pritën në Departamentin e Shtetit nga zëvendësndihmëssekretari Amerikan Alexander Kasanof, përgjegjës për zyrën e Evropës dhe çështjet e Euroazisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Gjiknuri u shpreh se, “gjatë takimit u theksua angazhimi i vazhdueshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin e Evropës Juglindore, me fokus Ballkanin Perëndimor”.

“SHBA vijon të jetë mbështetësja kryesore e institucioneve shqiptare dhe nxitësja e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, theksoi Gjiknuri.

“Zyrtari amerikan shprehu përgëzime për bashkëpunimin mes pozitës dhe opozitës me qëllim zbatimin e votës së shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit”, shtoi më tej Gjiknuri.

Gjiknuri u shpreh se në takim u nënvizua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit, koordinimit dhe ndërveprimit me SHBA-të si aleati më strategjik i Shqipërisë. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›