Gjimnazistët vizitojnë RTSH, të rinjtë nga Kamza marrin pjesë në emisionin e radios

Ka qenë një ditë e veçantë kjo për gjimnazistët e Kamzës, të cilët kanë mundur të vizitojnë ambientet e Radiotelevizionit Shqiptar.
Vizita në studiot e Radio Tiranës është shoqëruar me historinë e krijimit të kësaj godine si dhe me evolimin e emisioneve ndër vite.
“Sot kemi ardhur me klasën për të vizituar Radiotelevizionin Shqiptar dhe për të prekur me afër frymën e artit, kërkesat që kanë të rinjtë mbi kulturën dhe artin,” tha një gjimnaziste.
Ndërsa ajo çka e bëri edhe me tërheqëse këtë vizitë ishte pjesëmarrja drejtpëdrejt në emisionin “Në Radio”, ku të rinjtë dhanë opinionet e tyre të sinqerta sesi e kanë perceptuar radion nga jashtë.
Të rinjtë, sidomos ata që ëndërrojnë të bëhen gazetarë, panë nga afër edhe studiot e emisioneve të televizionit shqiptar, madje edhe ato të ndërtuara së fundmi.
“Qëllimi i shkollës nuk është vetëm që nxënësit të mësojnë nga librat, vetëm në klasë. Ata kanë nevojë të dalin jashtë ambientit të së përditshmes, qoftë edhe një orë mësimi, qoftë edhe një ditë. Mbresat që ata marrin janë shumë më të bukura sesa në orët e zakonshme,” shprehet Valbona Kërçiku, drejtuese e gjimnazit.
/rtsh.al/