E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimshiti: Maran ka sjellë frymë të re dhe pozitive te Kombëtarja

TIRANË, 25 shtator/ATSH/ Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti vlerësoi frymën e re të sjellë nga trajneri Rolando Maran, në prag të sfidës me Bjellorusinë.

Gjimshiti tha në një konferencë për shtyp se skuadra ka pasur më shumë kohë në dispozicion për t’u njohur me idetë e teknikut italian dhe për të përgatitur ndeshjen.

“Besoj që kam gjetur skuadrën shumë mirë. Kemi pasur më shumë kohë sesa në fund të sezonit të kaluar. Na janë nevojitur këto ditë për të mësuar idetë e trajnerit. Frymë e re, është një frymë shumë pozitive”, u shpreh Gjimshiti.

Kapiteni kuqezi foli edhe për rikthimin e portierit Etrit Berisha, të cilin e cilësoi një lojtar kyç dhe me shumë eksperiencë.

“Etrit Berisha është një lojtar kyç dhe me eksperiencë. Do t’i japë një ndihmë të gjithëve”, tha ai.

Gjimshiti komentoi edhe transferimin e tij në Lindjen e Mesme, duke theksuar vështirësitë e kampionatit atje.

“Ishte vendimi im dhe i Atalantës. Nuk duket nga jashtë, por kampionati është shumë i vështirë. Ka shumë lojtarë me cilësi. Nuk është aq e thjeshtë siç duket. Çdo ekip e ka një sulmues me emër. Për mua është sfidë e madhe si mbrojtës atje”, deklaroi Gjimshiti.

Në lidhje me objektivat e Kombëtares, kapiteni kuqezi premtoi angazhim maksimal përpara tifozëve shqiptarë.

“Tifozëve u premtojmë që do të japim maksimumin. Do të punojmë edhe për të shkuar në Europian. Kjo është rruga e duhur”, u shpreh ai.

Gjimshiti theksoi se gjatë viteve ka punuar me trajnerë dhe skema të ndryshme taktike, ndërsa nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së sistemit me karakteristikat e lojtarëve.

“Në këto vite kam pasur disa trajnerë dhe disa taktika të ndryshme, por besoj që kohët e fundit kam folur shumë me mister Maran për këtë punë, për taktikën edhe për gjëra të tjera. Besoj që do të vendosë atë që do të jetë më e mira për ekipin, që t’u përshtaten të gjithë lojtarët dhe ajo që na hap rrugën për suksesin është gjëja më e rëndësishme”, tha Gjimshiti.

Sa i përket skemës së lojës, me tre apo katër mbrojtës, kapiteni i Shqipërisë tha se vendimi i takon trajnerit.

“A po luajmë me tre apo me katër, nuk besoj se do të ndryshojë shumë. Do ta vendosë në fund trajneri”, përfundoi Gjimshiti.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›