E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjimshiti prezantohet tek Al-Diriyah, kontratë dyvjeçare në Arabinë Saudite

TIRANË, 12 gusht /ATSH/ Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti ka zyrtarizuar transferimin te skuadra saudite Al-Diriyah, duke mbyllur një kapitull më shumë se njëdekadësh me Atalantën.

Gjimshiti ka firmosur një kontratë dyvjeçare me klubin arab, ndërsa transferimi i tij nga Atalanta raportohet se kap vlerën e rreth 3 milionë eurove. Përfitimet e mbrojtësit shqiptar parashikohen në rreth 3 milionë euro në sezon, për një total prej rreth 6 milionë eurosh gjatë dy viteve.

Kapiteni i Kombëtares shqiptare largohet nga Atalanta pas një periudhe të gjatë dhe të suksesshme, gjatë së cilës regjistroi 334 paraqitje me klubin italian.

Një nga kulmet e karrierës së tij me Atalantën ishte fitimi i UEFA Europa League, sukses historik për klubin bergamask.

Pas më shumë se 10 vitesh në Itali, Gjimshiti tashmë nis një aventurë të re në Arabinë Saudite, ku pritet të jetë një nga figurat kryesore të Al-Diriyah.

Ndërkohë, edhe një tjetër futbollist i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, ka ndryshuar skuadër, duke kaluar në formën e huazimit te Al-Taawoun në Arabinë Saudite.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›