Gjirokastër-Pasurohet muzeu i Luftës së Ftohtë, ekspozohen veshje ushtarake që i përkasin sistemit të kaluar

Rikonceptohet Muzeu i Luftës së Ftohtë në qytetin e Gurtë, në Bunkar, Gjirokastër. Sot, në sallën qendrore të tunelit janë ekspozuar veshjet e ushtarëve, gjeneralëve e zyrtarëve të sistemit të kaluar. Së bashku me to zënë vend librat e ndaluar, artikuj të shkëputur nga shtypi i shkruar i viteve 1950-1990, si dhe botime të udhëheqësit komunist Enver Hoxha.
“Duke qenë se është një tunel i përdorur për një periudhë të gjatë nga ushtria e Shqipërisë, kemi vendosur të hapim një mini-ekspozitë me veshje ushtarake të kohës, veshje ushtarësh, veshje gjeneralësh, veshje zyrtarësh të asaj kohe, një ekspozitë të vogël me vepra të Enver Hoxhës, gjithashtu dhe librat e ndaluar të kohës. Të gjithë vizitorët kanë shfaqur një interes të veçantë ose dikur kanë pyetur: “Përse nuk e bëni një ekspozitë të tillë?” dhe ne vendosëm, në bashkëpunim me bashkinë e qytetit dhe Agjencinë e Trashëgimisë Kulturore, të çelim në ambientet e muzeut një ekspozitë, e cila besoj do të jetë me tepër interes për të gjithë vizitorët”, tha Albana Ismaili, koordinatore e muzeut.
Muzeu i Luftës së Ftohtë vazhdon të tërheqë vizitorë në çdo periudhë të vitit në Gjirokastër, por sigurisht vera është sezoni kur dyert e tij hapen për grupe të mëdha turistësh, pjesa dërrmuese të huaj.
“Vij nga Polonia për të kaluar disa ditë në Shqipëri. Gjirokastra më duket fantastike. Vizitova kalanë. Tani jam në këtë tunel, ku sot patëm fatin të shohim edhe këtë ekspozitë me këto veshje. Interesante çka dëgjuam këtu për funksionimin e këtij tuneli dikur”, shpreht turisti.
Për periudhën janar-gusht, ky muze ka pritur 14,932 vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Gazetare: Y.Ponde
/rtsh.al/